Italia luajti me një skemë ndryshe në ndeshjen miqësore ndaj Bosnjë Hercegovinës, duke vendosur Skamakan si qendërsulmues, për të ndihmuar më shumë me pasime në fazën ofensive shokët e skuadrës. Në një moment, vetë sulmuesi u shfaq i acaruar dhe shau dukshëm Fratesin, i cili nuk i pasoi topin kur ishte në një pozicion të mirë për të rrezikuar portën.
“I thashë një fjalë të pistë, po. I dhashë dy pasime për gol dhe nuk më bëri asnjë asist. Herën tjetër nuk i pasoj më”, tha duke qeshur Skamaka pas ndeshjes për situatën me mesfushorin, me te cilin njihet prej vitesh, që kur luanin të dy te Sasuolo.
Edhe Fratesi e përjetoi me shumë humor situatën e krijuar në fushë. “Të luaj me Skamakan më ndihmon, i njohim përmendësh lëvizjet e njëri-tjetri, ai merr gjithmonë me vete dy mbrojtës dhe duhet thjesht të jesh i aftë të jesh i gatshëm në vendin e duhur në momentin e duhur. A mbajta shumë topin në pjesën e parë? Po, mora disa të shara nga Skamaka (qesh). Ka të drejtë, edhe unë do të kisha bërë të njëjtën gjë, nuk kam çfarë i them”, deklaroi mesfushori i cili ishte autori i golit të vetëm të ndeshjes për Italinë.
PANORAMASPORT.AL