Skuadra e volejbollit Drita është gjobitur me 250 euro nga Federata e Volejbollit të Kosovës për shkak të aktivizimit të një lojtareje të huaj pa të drejtë loje.
Ndeshja e zhvilluar ndaj Fer Volley, e fituar në fushë nga ferizajaset me rezultat 3:1, është regjistruar zyrtarisht me shifrat 3:0 në tavolinë në favor të Fer Volley.
Sipas rregullores ndërkombëtare të FIVB, klubi që aktivizon një lojtare të huaj pa përfunduar procedurën e Certifikatës Ndërkombëtare të Transferimit (ITC) duhet të gjobitet deri në 30 mijë euro. Por në këtë rast, Komesari i Garave, Fadil Lumi, vendosi një gjobë shumë më të ulët – vetëm 250 euro.
Nga Fer Volley kanë paralajmëruar se do të ankohen edhe në Federatën Ndërkombëtare të Volejbollit (FIVB), duke theksuar se rregullorja nuk është respektuar siç duhet.
“Pavarësisht vërejtjeve të delegatit se lojtarja nuk kishte të drejtë loje, Drita vendosi ta aktivizonte. Pas ankesës sonë dhe raportit të delegatit, FVK mori vendim që ndeshja të regjistrohet 0:3 në favorin tonë”, thuhet në reagimin e klubit nga Ferizaj.