Klubi gjerman St. Pauli është përfshirë në një situatë të pazakontë dhe të diskutueshme, ku një drejtues i lartë i klubit është kapur duke kritikuar kapitenin Jackson Irvine në rrjetet sociale përmes një llogarie false.
Jackson Irvine, i mbërritur te St. Pauli në vitin 2021, është bërë një nga figurat më të rëndësishme të klubit, jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj. Megjithatë, gjatë këtij sezoni, ai nuk ka mundur të luajë për shkak të një lëndimi dhe ka qenë objekt kritikash të ndryshme.
Gjatë verës, Irvine postoi një foto nga një festival në Portugali ku shfaqej me një fanellë pro Palestinës dhe gjithashtu ka ndarë imazhe që promovonin koleksionin e tij të modës në rrugët e Hamburgut. Këto postime shkaktuan reagime të ndryshme në rrjetet sociale.
Së fundi, partnerja e kapitenit, Jemilla Pir, zbuloi se një nga kritikët e Irvine nuk ishte një tifoz i zakonshëm, por René Born, anëtar i bordit të St. Pauli, i cili kishte përdorur një llogari false për të publikuar komente denigruese. Në një postim ku shfaqej Irvine së bashku me Jemilla-n, Born shkruante:
“Ky është klubi ynë, jo juaji. Ju do të largoheni brenda disa muajve për të luajtur diku tjetër për një euro më shumë. Ne do të jemi gjithmonë këtu kur ju nuk do të jeni më se një shënim i vogël.”
Sipas revistës ‘Kicker’, René Born i dërgoi një letër faljeje Irvine-it, por Jemilla Pir vendosi ta bëjë situatën publike, duke denoncuar ngacmimin online dhe përdorimin e pushtetit për intimidim:
“Desha ta ndaj këtë sepse ngacmimi duhet të ekspozohet, veçanërisht kur vjen nga njerëz si René Born, që janë në pozita pushteti dhe mendojnë se mund të të frikësojnë publikisht.”
Situata ka shkaktuar një reagim të gjerë në medien gjermane dhe ka vënë në qendër të vëmendjes etikën e sjelljes së drejtuesve të klubeve ndaj lojtarëve të tyre.