Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar për herë të parë pas skandalit të kurdisjeve që preku Ligën e Parë ku ishin të përfshira Ulpiana dhe Vllaznia e Pozheranit.
Në një intervistë për KosovaPress, i pari i FFK-së ka thënë se institucioni që ai drejton do të jetë i pa kompromis ndaj të gjitha palëve që në një mënyrë apo tjetër kërcënojnë integritetin e garave në futboll dhe se dënimet do të jenë shumë të ashpra.
FFK do të jetë strikte në mbrojtjen e integritetit të garave
“Në fakt nuk është vendim i këndshëm dhe nuk merret me dëshirë kur ka raste të tilla sepse Federata e Futbollit nuk është këtu për t’i dëmtuar klubet dhe nuk i dëmton kurrë, por është strikt për ta mbrojtur integritetin e garave dhe t’i mbrojë garat. Sepse ne kemi thënë në fillim dhe është e natyrshme që edhe për të shkuar prej lige duhet të shkoj ai që e meriton të shkoj prej lige edhe për t’u bërë kampion ai që e meriton të bëhet kampion. Normalisht ne do ta ndjekim këtë kurs deri në fund, përndryshe ne nuk e dimë atëherë kualitetin dhe nivelin profesional të futbollit tonë. Rasti i kësaj ndeshje është cilësuar si ndeshje e kurdisur dhe normalisht kur cilësohet e tillë janë sanksionet dhe këto sanksione kanë ardhur nga komisionet”, tha Ademi.
Vendimi për përjashtimin e të dy klubeve nga Komisioni i Garave i cilësua nga shumë njohës të futbollit si i ngutshëm, por Ademi ka një përgjigje të prerë për këtë çështje.
Xhirimet dëshmon qartë kurdisjen
“Pse a nuk i keni parë ju? A nuk e merrni ju për bazë deklaratën e futbollistëve, nuk i merrni ato? Apo nuk i merrni edhe incizimet, nuk i merrni edhe mesazhet. Tani duhet realisht futbollin me e mbrojt dhe realisht edhe klubet kur është nevoje me i mbrojt, por duhet në realitet të veprojmë në këto çështje…Kjo është e ditur prej të gjitha klubeve, sepse nuk tolerohen fiksimet ose lëshimet e ndeshjeve, apo edhe kurdisjet e ndeshjeve, nuk tolerohen askund në botë”, nënvizoi Ademi.
Më tutje Ademi ka folur edhe për ankesat e disa klubeve mbi gjyqtarët për shkak të disa pretendimeve se ata me vendimet e tyre po ndikojnë në rezultatet e ndeshjeve duke thënë se nëse ka gjyqtar që qëllimisht e dëmtojnë një skuadër, ata do të përjashtohen nga organizata e gjyqtarëve.
Nëse dëshmohet për gabime të qëllimshme, referët marrin dënime të ashpra
“Nuk them që nuk gabojnë dhe nuk dëmtojnë referët, ka ndodhur që kanë dëmtuar, pro me qëllim nëse kapet cili refer e dëmton, normalisht që sanksionet janë edhe për referët deri në përjashtim nga organizata e referëve. Sigurisht që dalja e foljes së njerëzve se federata ka ndikim, është shorti, kush të bie në short, e kanë të drejtën të vijnë dhe të monitorojnë shortin secili klub. Këto logjikat që e vendosin fajin tek referët apo te federata për mos-suksesin e tyre janë tek njerëzit të cilët janë të cekët dhe sigurisht nuk duhet të vihet ën dyshim kjo punë sepse federata i ka bërë të gjitha gjërat e mundshme vetëm për të qenë sa më konkret dhe sa më sigurt klubet dhe njëkohësisht edhe organet tona. Nuk ka asnjë gjë më të pastër se shorti, ai i cili të bie, nuk ka shans në short asnjë njeri ta vendosë dikë siç po flitet”, vazhdoi më tutje i pari i FFK-së.
Por, i pari i FFK-së është shprehur i bindur se gjyqtarët në Kosovë janë tejet kualitativë dhe se secili prej tyre ka kaluar të gjitha fazat përgatitore për të ndarë drejtësinë në elitën e futbollit kosovar.
Në Superligë nuk ka gjyqtarë pa përvojë
“Ai i cili i ka dhënë provimet dhe ai i cili është vlerësuar të jetë në Superligë, nuk mund t’i themi është gjyqtar pa përvojë ose gjyqtar i dobët. Ai aty e tregon vetën, nëse është i dobët nuk futet në listë dhe nuk mund të paragjykojmë ne që ky është i dobët ose ky është i mirë, secili fillon nga diku dhe ata të cilët vijnë në Superligë nuk vijnë pre qielli drejt në Superligë, por sigurisht ka qenë tek të rinjtë, në Ligën e Dytë, në Ligën e Parë pastaj vjen i jep provimet dhe gradohet për Superligë” deklaroi në fund Ademi.
Përtej këtyre problematikave, Ademi ka vlerësuar se futbolli i Kosovës po vazhdon me rritjen e nivelit të cilësisë ndërsa në këtë drejtim do të ndihmojë edhe më shumë infrastruktura sportive në të cilën po punohet me përkushtim shumë të madh.