Futbolli turk po kalon një krizë të thellë morale dhe institucionale. Federata Turke e Futbollit (TFF) ka njoftuar sot pezullimin e 102 lojtarëve nga dy kategoritë më të larta të kampionatit, pas një hetimi të gjerë për baste të paligjshme në ndeshje futbolli.
Sipas raportimeve të “Reuters”, mes të pezulluarve janë edhe Eren Elmali dhe Metehan Baltaci, lojtarë të klubit gjigant Galatasaray, të cilët janë dënuar përkatësisht me 45 ditë dhe nëntë muaj pezullim. Në total, 25 lojtarë vijnë nga Superliga, ndërsa 77 të tjerë nga Kategoria e Dytë.
Ky zhvillim vjen pas një serie masash drastike të marra nga federata. Vetëm disa javë më parë, 149 gjyqtarë dhe asistentë u pezulluan pasi hetimet zbuluan se shumë prej tyre kishin llogari bastesh dhe kishin vendosur baste mbi ndeshje të futbollit turk.
Hetimet u thelluan të hënën me arrestimin e tetë personave, përfshirë edhe presidentin e një klubi të Superligës, ndërsa 1,024 lojtarë nga të gjitha ligat u pezulluan përkohësisht. Për pasojë, ndeshjet në kategoritë e dytë dhe të tretë janë shtyrë për dy javë.
Presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmanoglu, e ka cilësuar këtë situatë si “një krizë morale në futbollin turk”. Ai ka bërë të ditur se nga 571 gjyqtarë aktivë në ligat profesioniste, 371 kishin llogari bastesh, dhe 152 prej tyre ishin lojtarë aktivë në baste. Një rast ekstrem përfshinte një gjyqtar që kishte vendosur baste 18,227 herë, ndërsa 42 gjyqtarë të tjerë kishin vënë baste mbi më shumë se 1,000 ndeshje secili.
Federata ka paralajmëruar se hetimet do të vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e ndëshkimeve të reja ndaj lojtarëve dhe zyrtarëve të përfshirë.


