Këshilli bashkiak i qytetit të Udines ka çuditur të gjithë teksa ka refuzuar propozimin për t’i dhënë titullin simbolik “Qytetar Nderi” portierit të Milanit, Majk Menja. Ky i fundit u bë viktimë e thirrjeve raciste në stadiumin e këtij qyteti më 20 janar, kur u luajt ndeshja e Serisë A mes dy skuadrave.
Propozimi ishte bërë nga kryebashkiaku Alberto Feliçe de Toni, i cili menjëherë pas ndeshjes theksoi se ky ishte mesazhi më i mirë që mund të jepej për një ngjarje të shëmtuar si ajo që ndodh në stadiumin e qytetit të tij. Por ashtu siç pritej, politika ka hyrë në mes, pasi kryebashkiaku i një partie të qendrës së majtë, kishte kundër anëtarët e këshillit bashkiak të partive të qendrës së djathtë. Atij i duheshin tre të katërtat e votave të këshillit bashkiak, 30 të tilla, por mori vetëm 25.
Kështu, kërkesa e tij u refuzua dhe Majk Menja nuk mund të bëhet “Qytetar Nderi” i Udines në këtë gjest simbolik në luftën kundër racizmit.
PANORAMASPORT.AL