Nëse refuzimi i Iranit bëhet zyrtar, Iraku mund të kualifikohet direkt, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe do të shkonin në Play-off kundër fituesit të Surinam-Bolivi.
Tërheqja e Iranit nga Botërori 2026 hap një skenar që nuk pritej deri pak javë më parë. Konflikti në Lindjen e Mesme, me Teheranin në qendër të tabelës ndërkombëtare të shahut, ndryshon kartat mbi tavolinë.
Ministri i Sportit në Iran, Ahmad Donyamali, njoftoi se kombëtarja e futbollit nuk do të shkojë në SHBA për Kupën e Botës, ku është shortuar në Grupin G kundër Zelandës së Re, Belgjikës dhe Egjiptit. Atëherë kush e zëvendëson Iranin, nëse ky qëndrim mbetet në fuqi?

Rregullorja e FIFA-s, neni 6.7, nuk jep shpjegime të qarta: “FIFA do të vendosë në lidhje me çështjen sipas gjykimit të saj dhe do të marrë çdo masë që konsiderohet e nevojshme. FIFA mund të vendosë të zëvendësojë federatën pjesëmarrëse në fjalë me një federatë tjetër”.
Statuti lë një marzh të gjerë vendimi dhe nuk tregon zgjidhje precize, por është e qartë se vendimi i Iranit do ta detyrojë FIFA-n të prononcohet shpejt për këtë temë.
Zgjidhja e parë e mundshme është Iraku. Nëse dështon në Play-off, kjo kombëtare ka të drejtën si e përjashtuara e parë nga konfederata aziatike. Më 31 mars është programuar sfida mes Irakut dhe fituesit të Bolivi-Surinam.
Kjo ndeshje është në rrezik, sepse duhet të zhvillohet në Monterrey, në Meksikë, ku ka pasur probleme me sigurinë, pas dhunës që pushtoi këtë vend. Në anën tjetër, frika lidhet edhe me faktin se Iraku mund të mos mbërrijë në kohë në Meksikë, për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore nga lufta në Lindjen e Mesme.
Prandaj Iraku ka kërkuar shtyrjen e Play-off-it për probleme logjistike të udhëtimit drejt Meksikës. Nëse zyrtarizohet tërheqja e Iranit para ndeshjeve shtesë në fund të marsit, FIFA do të lejonte Irakun të kualifikohej direkt, pa Play-off, ku do të shkonin Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo kombëtare është e para në listë pas Irakut.
Irani më parë ka rrezikuar pjesëmarrjen edhe në 2018-ën dhe 2022-shin. Në 2018-ën ishte në mes çështja e Masoud Shojaei, mesfushorit aktivist që u përjashtua disa muaj nga kombëtarja për “arsye politike”. Çështja shkaktoi polemika rreth skuadrës dhe në fund Shojaei u grumbullua. Gjithçka u zgjidh para nisjes për në Rusi.
Në 2022-shin, ndalimi i hyrjes në stadium për femrat në ndeshjen kundër Libanit në Mashhad solli shumë diskutime në vend. Në fund Irani u nis për në Katar, ku sfidoi edhe SHBA-të.
Janë të paktë precedentët e përjashtimit dhe “ripeshkimit” në kompeticione të nivelit botëror gjatë viteve të fundit. Diçka e ngjashme ndodhi në 1992-shin, kur Danimarka, që kishte marrë pushimet, zëvendësoi Jugosllavinë në Europian dhe e fitoi atë.