Mohamed Salah mund të jetë më afër se kurrë për të zgjatur qëndrimin e tij te Liverpuli, pasi ka hyrë në bisedime serioze për rinovimin e kontratës, sipas një media të madhe egjiptiane.
Ylli i “Reds”-ave thuhet se ka marrë një ofertë më bindëse se më parë dhe lajmi është konfirmuar nga një burim brenda kampit të klubit. Kontrata e 32-vjeçarit skadon në fund të sezonit dhe gjatë gjithë vitit ai ka lënë të kuptohet se është më pranë largimit sesa qëndrimit nga “Anfield”, ose siç e ka thënë ai vetë “jam më shumë jashtë sesa brenda”.
“Drejtuesit e Liverpulit kanë hapur negociatat me Rami Abas, menaxherin e Mohamed Salahut, për të rinovuar kontratën e yllit egjiptian me klubin për momentin”, i tha një burim medias egjiptiane “Masrawy”. “Negociatat mes Liverpulit dhe Rami Abasit janë shumë më të avancuara këtë herë se kurrë më parë dhe oferta e paraqitur është më e lartë se çdo ofertë e bërë më parë për lojtarin”. Por i njëjti lajm dha një detaj tronditës në lidhje me Trent Aleksnder-Arnoldin, duke konfirmuar largimin e tij drejt Realit të Madridit në verë.
“Largimi i afërt i Arnoldit nga Liverpuli do të jetë një faktor kyç në rinovimin e kontratës së Salahut, pasi ulja e pagave të larta në klub do t’i japë yllit egjiptian atë që dëshiron në marrëveshjen e re me të Kuqtë”, tha burimi. Përmendja e largimit të mbrojtësit të djathtë të klubit, i cili gjithashtu është në skadencë kontrate, ka shqetësuar tifozët e Liverpulit, të cilët mësuan të martën se gjigantët spanjollë janë një hap larg sigurimit të firmës së tij. “Mail Sport” raportoi në dhjetor se kampionët e Europës ishin të sigurt se Aleksander-Arnold do të ishte njeriu i tyre dhe po planifikonin të ardhmen me anglezin në skuadër. Ky besim është rritur që atëherë, megjithëse burime pranë Liverpulit thonë se klubi ende nuk ka marrë ndonjë sinjal se një marrëveshje është finalizuar.
Reali ka pasur dritën jeshile për të biseduar me lojtarin që nga 1 janari dhe e ka bërë këtë, pasi kontrata e tij në “Anfield” skadon në qershor. Spanjollët bënë një ofertë direkte për Liverpulin në prag të Vitit të Ri për ta transferuar atë në janar, por ajo u refuzua menjëherë. Kryesuesit e Premier Ligës nuk panë ndonjë arsye për ta shitur mbrojtësin e tyre në janar, edhe pse Reali ishte i gatshëm të paguante rreth 20 milionë paund për ta siguruar atë më herët.
Sipas “Mail Sport”, presidenti i Realit, prej kohësh ka pritur që Aleksander-Arnold t’i bashkohet klubit të tij, por Florentino Perez ka dashur të respektojë Liverpulin dhe për këtë arsye nuk ka dashur të bëjë asnjë lajm publik.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL