Sporti italian dhe ai ndërkombëtar është në zi pas vdekjes së skiatorit Matteo Franzoso, i cili humbi jetën në moshën 25-vjeçare në një spital të Santiagos, Kili. Franzoso pësoi një aksident të rëndë gjatë një seance stërvitore në pistën e La Parva, rreth 50 km nga kryeqyteti kilian.
Gjatë një zbritjeje, ai humbi kontrollin në një kërcim të vogël dhe u përplas jashtë pistës, duke kaluar dy rrjeta mbrojtëse dhe goditur një gardh. Menjëherë u transportua me helikopter në spital dhe u vendos në koma të induktuar, por dëmtimet e rënda në kokë dhe edema cerebrale rezultuan fatale.
Franzoso, që nesër do të festonte ditëlindjen e 26-të, ishte pjesë e skuadrës së Fiamme Gialle dhe kishte mbërritur në Kili më 6 shtator për stërvitje së bashku me emra të njohur si Dominik Paris, Christof Innerhofer dhe Mattia Casse. I njohur si djalë i qeshur dhe i dashur, ai kishte nisur karrierën në Sestriere.
Në nivel ndërkombëtar, Franzoso kishte arritur vendin e katërt në Botërorin Junior të vitit 2020 në disiplinën e zbritjes. Në Kupën e Europës debutoi në 2017, ndërsa fitoren e parë e mori në super-G në Zinal, Zvicër, më 2021. Po atë sezon debutoi edhe në Kupën e Botës, ku grumbulloi 17 paraqitje, me rezultatin më të mirë vendin e 28-të në Cortina d’Ampezzo (janar 2023). Në të njëjtin vit fitoi edhe titullin italian në kombinim.