Monday, 19. January 2026
Sport

Skitarët Kokaj e Kryeziu përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e dimrit

GS 19/01/2026 2 Min. Lesezeit

Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të hënën.

Kryeziu ka përmbushur kriteret bazë të kualifikimit në tri disiplina të skijimit alpin: sllallom, sllallom të madh dhe super sllallom të madh, disiplina në të cilat do të garojë në Milano Cortina.

Ndërkohë, Drin Kokaj ka siguruar kualifikimin për të përfaqësuar Kosovën në sllallom.

Në garë për kualifikim ishin edhe Lirika Deva, e cila plotësoi kriteret në sllallom dhe sllallom të madh, si dhe Vokshi në sllallom të madh.

“Sipas rregullave, Kosova mund të përfaqësohet në Lojërat Olimpike Dimërore me nga një garues për secilën gjini. Në këtë rast, Kryeziu kishte më shumë disiplina në të cilat u kualifikua, ndërsa Kokaj ka pikë më të ulta kundrejt Vokshit, në disiplinën e sllallomit”, ka shkruar KOK.

Kiana Kryeziu ka përfaqësuar Kosovën edhe në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, ndërsa për Drin Kokajn, Milano Cortina 2026 do të jetë paraqitja e parë olimpike.

Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina do të mbahen nga 6 deri më 22 shkurt 2026.

Teilen: