Thursday, 26. March 2026
Sport

Skriniar në dyshim, mungon edhe një yll i madh, trajneri i Sllovakisë: Kosova ka super ekip

GS 26/03/2026 2 Min. Lesezeit

Kapiteni i ekipit kombëtar sllovak, mbrojtësi Milan Skriniar, mbetet në dyshim për ndeshjen e gjysmëfinales ndaj Kosovës.

Mbrojtësi 31-vjeçar i Fenerbahçes nuk ka luajtur që më shumë se një muaj për shkak të një dëmtimi në, dhe vendimi nëse do të jetë titullar do të merret vetëm ditën e ndeshjes.

“Kemi ende disa orë për të vendosur rreth Milan Skriniar. Do të shohim si ndihet nesër në mëngjes dhe do të marrim një vendim. Po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ai të luajë. Megjithatë, kemi një problem tjetër, David Duris e lëndoi shpatullën gjatë një ushtrimi dhe nuk mund të mbështetemi tek ai kundër Kosovës,” tha trajneri Calzona në konferencën për shtyp

Calzona nuk e nënvlerëson kundërshtarin e tij. “Kosova ka një ekip shumë të organizuar. Arriti në divizionin B të Ligës së Kombeve dhe ka një kualifikim shumë të mirë për Kupën e Botës. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë,” tha ai.

Portieri Martin Dubravka, i cili ka përjetuar dy Kampionate Evropiane, vlerëson sfidën ndaj Kosovës dhe mënyrën se si do të duhet të përballet me mbrojtjen e tyre. “Kosovarët kanë një mbrojtje cilësore. Pres që ata të luajnë në një bllok të thellë. Megjithatë, nuk mund të fitosh pa gol. Do ta shohim, do të jetë një ndeshje interesante. E di dhe e kuptoj sa i rëndësishëm na pret një duel. Duam të fitojmë dhe t’i kënaqim tifozët tanë, të cilët na kanë mbështetur për një kohë të gjatë,” tha portieri i Burnley FC.

Sllovakia synon të kthehet në turneun final të Kupës së Botës pas 16 vitesh, pasi përfundoi në vendin e dytë të grupit kualifikues A pas Gjermanisë. Fituesi i këtij dueli do të luajë më 31 mars, përsëri në Bratislavë, kundër fituesit të duelit Turqi – Rumani.

Ndeshja Sllovaki – Kosovë do të drejtohet nga gjyqtarë nga Norvegjia, me 37-vjeçarin Espen Eskas.

Teilen: