Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Mirëmbrëma yje”, të moderuar nga Arbana Osmani, ku zhvilloi një intervistë të gjerë dhe të veçantë.
Në një rrëfim të hapur dhe reflektues, ai ndau me publikun aspekte nga jeta personale, filozofia e drejtimit dhe vizioni për zhvillimin e futbollit shqiptar.
Gjatë bisedës, Presidenti Duka u ndal te puna e përditshme në krye të Federatës, te progresi i futbollit kombëtar dhe ambicia për kualifikimin e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Botëror, një objektiv që, sipas tij, mbështetet në punën e vazhdueshme dhe potencialin real të skuadrës.
Si e mendon, sa shanse kemi të shkojmë në Botëror? – Për të qenë brenda kornizave të profesionit tim, ne kemi 25% probabilitet, sepse jemi katër skuadra me të njëjtin nivel dhe të katërta kemi nga 25%. Unë kam shumë besim dhe e kam pasur gjithmonë. Besimi im është real, nuk është thjesht dëshirë. Është real për nga niveli dhe skuadra që kemi, për atë çfarë ne kemi bërë, futbollistët në fushë i kanë të gjitha mundësitë.
Nëse e krahason me 2016-ën? – Botërori është diçka tjetër, është shumë më i vështirë se Europiani për t’u kualifikuar. Ndërsa, nëse shkon në turneun final, në Botëror është pak më e lehtë se në Europian, sepse skuadrat në Europian janë vërtet shumë të mira, pasi kualiteti i futbollit është në Europë. Në Botëror shkojnë vetëm 16 skuadra nga Europa dhe shkalla e vështirësisë është akoma më e madhe.
Në krijohet një atmosferë shumë e bukur. – Doje të thoje njerëz të kulturuar. Nuk jemi fiks në nivelin e duhur, por jemi përmirësuar shumë, sidomos në ndeshjet e ekipit Kombëtar. Krijohet një ambient i bukur, që ke dëshirë të jesh në shkallët e stadiumit. Pastaj, kur fiton, bëhet akoma edhe më e bukur. Jemi ende në luftë për të shkuar në Botëror. Është një gjë që nuk e kemi arritur, të gjithë shqiptarët duan ta prekin, aq më tepër që zhvillohet në Amerikë dhe ne duam të shkojmë atje, jo si tifozë, por me ekip.
23 vite si President i FSHF. Cila ka qenë sfida më e madhe personale? – Unë sfidë personale në futboll është vështirë të të them, sepse sfida ime ka qenë e bashkuar me sfidën e institucionit.
Në kohën kur kam filluar si President i FSHF, vërtetë ka qenë një periudhë jo e mirë për Shqipërinë dhe akoma më e keqe për futbollin dhe për Federatën. Ka qenë një institucion minmalist, me të ardhura pothuajse zero, me aktivitete të cunguara, me përfaqësi pothuajse inekzistente dhe rezultate të ekipeve kombëtare, fatkeqësisht gjithmonë në vend të fundit.
Si u gjende ti në krye të Federatës 23 vite më parë? – Unë kam qenë në biznes, padyshim që jam marrë me sport, kam financuar në futboll, në qytetin tim të lindjes, në Shijak dhe Durrës ku unë jetoj tani. Kam qenë pjesë e të gjithë ambienteve sportive, aq më shumë që e gjithë familja ime është një familje sportive. Babai im ka qenë futbollist dhe trajner futbolli, vëllai im volejbollist, pavarësisht se shumë e njohin si politikan, por ai është më shumë sportist dhe ka qenë shumë i mirë.
Natyrshëm kam qenë në ambientet e futbollit, por realisht nuk kam pasur asnjëherë ambicie të jem drejtues i një institucioni sportiv, aq më tepër i Federatës së Futbollit. Duke qenë në këto ambiente, më është propozuar nga një miku im, i cili nuk jeton më, që ka qenë presidenti i Vllaznisë. Ai më donte dhe më respektonte shumë, sidomos për mënyrën si bëja biznes, sepse jemi njohur nëpërmjet biznesit. Më thoshte: Grup, duhet të bëhesh presidenti i Federatës, s’do humbasësh shumë kohë, ti i bën mirë Federatës. Përfundimisht më bindi, edhe pse nuk e kisha ndarë mendjen për të kandiduar për President. Është një fotograf, Fredi, ne i themi Oçalani, me mustaqe. Ai e thirri Fredin pa dijeninë time, më bëri fotografi dhe e pashë veten në gazetë si kandidat për President i FSHF.
Kështu, kandidova, u zgjodha President i Federatës, u ndodha në këtë situatë që të thashë, që faktikisht kur e preka dhe e pashë, mu duk shumë e vështirë për t’ia dalë dhe pastaj më ka rrëmbyer kjo punë dita ditës dhe nuk më duken si 23 vite, por si 23 ditë. Jam përfshirë vërtetë, nuk hyj në asgjë që nuk më pëlqen, kjo punë më ka pëlqyer, më ka pëlqyer edhe kur shoh zhvillime e rezultate pozitive, kur shoh fëmijë që luajnë futboll, aq pak sa mund të ndikojmë ne. Por futbolli sot ndikon shumë në shoqëri apo në kënaqësinë e njerëzve.
Ke ndonjë ekip të preferuar në Shqipëri? – Në fakt, e di e gjithë Shqipëria që unë kam qenë fans i Vllaznisë, para se të njihesha me Myftar Çelën apo që ai të më propozonte për të qenë President i Federatës. Kam filluar të ndjek Vllazninë, mbase i ndikuar dhe nga vëllai im, në një finale që është shumë e hershme, kur ju nuk kishit lindur akoma, finale e Kupës kur Vllaznia fitoi me penallti kundër Besës. Sot nuk jam ndonjë tifoz i thekur i asnjë klubi shqiptar, jo vetëm se dua të jem i paanshëm, po emocionet tani i kam për ekipin Kombëtar.
A je mik me futbollistët e Kombëtares? Dilni për dreka, komunikoni? – Kam raporte shumë të mira, kam pasur gjithë kohën, jam kujdesur që t’i kem të mira, i kam respektuar maksimalisht, por nuk i kemi tejkaluar kufijtë për të shkuar në atë raport që cenohet marrëdhënia institucionale e futbollistit me Presidentin e FSHF.
Gjatë grumbullimit nuk kemi shumë kohë për të dalë për dreka dhe darka, por unë padyshim i vizitoj dhe atje ku janë. Gjatë ditëve që ekipi Kombëtar është i grumbulluar unë jam gjithmonë i pranishëm aty. Padyshim që në momentet e pushimit dhe kohës së lirë, bëjmë biseda dhe lind një lloj raporti miqësor, por gjithmonë duke ruajtur balancat.
Pas ndeshjes me Andorrën qarkulluan video ku duket se nuk takove Armando Brojën… –E kam parë edhe unë atë video, nuk e kam kuptuar në momentin që ka ndodhur, pasi ishim shumë të gëzuar, duke festuar, ishte festim i paprogramuar, por i kam parë pamjet në rrjetet sociale.
Broja ishte i mërzitur me veten e tij, nuk ishte i kënaqur me atë që dha në fushën e lojës. Megjithëse unë nuk kam të njëjtin mendim me të, nuk është se dha maksimumin e tij, por ai e ndihmoi goxha skuadrën, po ta shohësh në mënyrë profesionale, e ndihmoi goxha skuadrën për ato minuta që ishte në fushë. Duke qenë se ishte i mërzitur me veten e vet, nuk e kishte me mua.
Të thashë që kam raporte të mira me të gjithë. Me Armandon kam komunikuar, jo vetëm pas asaj ndeshje padyshim, edhe pas ndeshjes me Anglinë, që ai ishte i dëmtuar dhe vazhdoj të komunikoj çdo ditë që ai të jetë sa më mirë dhe të jetë në formë për veten e tij dhe pse jo, edhe për të na ndihmuar neve. Unë kam shumë besim që ai mund të na ndihmojë shumë neve.
Si i përjeton ti sulmet e tifozëve ndaj futbollistëve kur gabojnë? – Kështu është kjo loja jonë, është diçka e pashmangshme, brenda 90 minutave mund të jesh hero dhe armik. Ne kemi një nga lojtarët më të mirë dhe që ka kontribuar më shumë me ekipin Kombëtar, me më shumë ndeshje në Kombëtare, Elseid Hysaj, i cili sipas tifozëve gaboi, që për mua bëri një veprim normal, gati-gati e persekutuan. Pas ndeshjes i kam thënë: Elsi, fiki rrjetet sociale dhe përqendrohu te ndeshja e radhës.
Unë jam i kujdesshëm dhe i mendoj kritikat për t’i korrigjuar, sepse të gjithë bëjmë gabime, mundohem që t’i kem parasysh për sa kohë gjykoj që qëndrojnë. Shoh edhe sharje, fyerje, baltosje, por nuk më ndikojnë shumë. Padyshim që nuk më vjen mirë, se nuk ka njeri dëshirë t’i shohë, por nuk më ndikojnë. Asnjë nga familjarët e mi nuk më komenton ndonjëherë sharjet dhe nuk më thonë gjë, edhe pse jam i sigurt që i shohin. Është diçka e pashmangshme, që vjen nga zhvillimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Je një nga njerëzit më të rëndësishëm në botë, në pozicionin tuaj. Si ndihesh, si njeri i rëndësishëm i UEFA-s apo si përfaqësues i një vendi të vogël? – Paragjykimi ekziston, si term dhe fenomen, por mirë është që ti vetë mos ta përjetosh atë. Unë shoh paragjykimin si produkt i një niveli të kufizuar intelektual, sepse një njeri i kultivuar nuk e paragjykon dikë nga vendi që ka lindur apo nga ngjyra e lëkurës që ka, sepse nuk është meritë e imja që unë kam lindur një Shijak dhe ti në Paris, apo nëse kam lindur i bardhë e ti i zi, etj. Meritë e imja është nëse unë përdor aftësitë e mia për mirë, luftoj me veten time për t’u zhvilluar, për të bërë më mirë, për t’u përmirësuar. Në botën e qytetëruar, në perëndim, minimizohen këto.
Kur janë zgjedhjet e tjera? – Në Shqipëri janë në 2026-ën, ndërsa në UEFA janë në vitin 2027.
A do ketë kandidatë të tjerë veç jush në zgjedhjet e vitit 2026 – Nuk e di akoma, nuk kam parë që të ketë një kandidat tjetër.
Deri kur mendon të jesh President i FSHF? – Për aq kohë sa njerëzit që unë bashkëpunoj dhe drejtoj, klubet dhe akademitë e futbollit do të mendojnë që vërtetë mund t’i ndihmoj dhe bashkë ta çojmë përpara futbollin. Për aq kohë sa të kem energji dhe sfida apo objektiva për të realizuar. Nuk është pa kufij kjo gjë dhe mosha bën të vetën dhe do të kufizojë. Nuk e kam pasur objektiv për ta lëshuar apo jo.
Në politikë rëndom thuhet që u konsultova me këtë apo atë dhe vendosa të vazhdoj. Por unë realisht para çdo zgjedhje marr një lloj feedback-u dhe opinioni të atyre që janë vërtetë të interesuar për futbollin, ata që e bëjnë, ata që e luajnë, që e drejtojnë. Klubet, akademitë, trajnerët. Dhe nëse shoh vërtetë dëshirë apo kërkesë për ta vazhduar këtë bashkëpunim, e vazhdoj.


