Wednesday, 25. March 2026
Sport

Sllovakët nuk ndihen favorit përball Kosovës

GS 25/03/2026 2 Min. Lesezeit

Në një analizë të gazetës sllovake “Pravda”, gjasat e Sllovakisë dhe Kosovës për fitore të enjten në Bratislavë janë vlerësuar 50-50.

Sipas kësaj gazete, Sllovakia nuk është favorite, por e ka përkrahjen e tifozëve.

“Pravda” shkruan se Kosova nuk ka arsye të ndihet autsajdere në Bratislavë.

“Kosovarët do të jenë të fortë sidomos në sulm. Kanë dy top-sulmues: Vedat Muriqin e Mallorcas dhe Fisnik Asllanin. Muriqi është golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga, ndërsa Barcelona dhe Chelsea po interesohen për Asllanin”, shkruan mediumi sllovak.

Sipas mediumit sllovak, në sulm përparësia është qartë në anën e Kosovës kurse në mbrojtje dhe në portë, “Pravda” ka favorizuar Sllovakinë.

Ndërkohë, Kosovën e ka vlerësuar lart edhe eksperti i futbollit sllovak, Ladislav Borbely, i cili ka insistuar se ka studiar “Dardanët”.

Sipas tij, Kosova është më e mirë se që e ka aktualisht pozitën e renditjen e FIFA-s, ku zë vendin e 79-të derisa Sllovakia është e 49-ta.

Borbely ka insistuar se Kosova është ekip i talentuar nga Ballkani, me elemente të mentalitit gjerman që selektori Franco Foda i ka integruar.

Ai shpreson që shqiponja dykrenare mos të fluturojë mbi Bratislavë, por ka thënë se është vështirë të parashikohet favoriti në këtë përballje.

Teilen: