Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, doli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Burnley-n, ku foli gjatë mbi transferimin e bujshëm të Alexander Isak, rolin e tij te skuadra e kuqe dhe edhe për tratativat e dështuara me Marc Guéhi.
Slot vlerësoi vendimin e trajnerit të Suedisë, Jon Dahl Tomasson, i cili nuk e rrezikoi sulmuesin në dy ndeshjet e fundit të kombëtares (u aktivizua në fundin e ndeshjes në humbjen 2-0 përballë Kosovës):
“Seleksionuesi suedez meriton një kompliment të madh, sepse ka, ndoshta, sulmuesin më të mirë në botë. Ai zgjodhi të mos e lodhte Isak me 90 minuta, duke shmangur një dëmtim të mundshëm për javë të tëra. Nuk është gjithmonë e lehtë për një trajner të mbrojë interesat e një lojtari.”
Megjithatë, tekniku holandez kërkoi qetësi te tifozët e “The Reds”, duke theksuar se sulmuesi i ri nuk është gati për 90 minuta lojë. “Ai humbi tre-katër muaj stërvitje dhe gjithë përgatitjen verore. Duhet futur gradualisht. Nuk e morëm vetëm për dy javët e ardhshme, por për gjashtë vite.”
Slot pranoi se Isak ka qenë në qendër të kritikave për mënyrën si u largua nga Newcastle, por i minimizoi polemikat:
“Në futboll gjithmonë ka kritika. Një ditë të duartrokasin për trofe, ditën tjetër të gjykojnë. Pjesë e lojës. Isak është tani lojtar yni dhe unë jam shumë i lumtur për këtë.”
Trajneri kujtoi edhe fleksibilitetin taktik që Liverpooli ka humbur: “Sezonin e kaluar mund të alternoja Jota-n, Darwin-in apo Luis Díaz-in. Tani nuk i kemi të gjithë në dispozicion. Normalisht, një klub si Liverpooli duhet të ketë opsione për të ndryshuar lojën.”
Një tjetër temë e nxehtë ishte ajo Marc Guéhi-t. Slot pranoi hapur se mbrojtësi i Crystal Palace ishte shumë pranë transferimit te Liverpooli:
“Do të ishte qesharake ta mohoja. Ishim vërtet pranë. Ai madje bëri vizitat mjekësore dhe Palace kishte gati videon e lamtumirës. Por në momentin e fundit, klubi i tij nuk gjeti zëvendësues dhe transferimi u bllokua.”
Edhe pse nuk e konfirmoi nëse Liverpooli do të rikthehet për Guéhi në janar, Slot nuk e mbylli derën:
“Do të donim ta kishim, ishte një objektiv serioz. Nëse shfaqet mundësia për të forcuar skuadrën, nuk do të hezitojmë. Për momentin, mendoj vetëm për Burnley-n.”