Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, tha se skuadra e tij është e përgatitur për atmosferën e zjarrtë në stadiumin “Rams Park”, përballë Galatasaray, në 1/8-finalet e Champions League. “Reds” humbën 1-0 në këtë stadium, në fazën e ligës në shtator: “Tifozët atje janë shumë impresionues. Kur e ke topin, fishkëllimat janë aq të forta sa të shurdhojnë. Ishte diçka e re për mua, edhe për lojtarët e mi me përvojë”.
Ai shtoi: “Tani e kemi përjetuar një herë dhe kjo është pozitive. Ne nuk luajmë vetëm kundër tifozëve, por edhe kundër 11 lojtarëve shumë të mirë dhe një trajneri të shkëlqyer”. Ndeshja do të jetë e 100-ta e Slot në krye të Liverpool-it dhe ai mund të thyejë rekordin e fitoreve të Kenny Dalglish në 100 ndeshjet e para:
“Do të ishte një rekord për klubin nëse arrijmë të fitojmë dhe kjo do të më bënte shumë krenar si trajner i Liverpool-it, sepse do të jetë ndeshja ime e 100-të këtu. Nuk mendoj se kam bilanc të keq, megjithëse ndonjëherë mund të krijohet një ndjesi tjetër nëse dëgjon gjithçka që thuhet. Është bukur që ndeshja e 100-të të jetë një sfidë kaq e veçantë në Champions League, në 1/8 finale, në transfertë ndaj Galatasaray.
Si gjithmonë, nuk bëhet fjalë për trajnerin, por për lojtarët. Unë përpiqem t’i përgatis sa më mirë, ashtu si në 99 ndeshjet e mëparshme, por janë lojtarët ata që duhet të performojnë në fushë. Kam qenë me fat që kam pasur një skuadër shumë të mirë sezonin e kaluar, edhe këtë sezon. Kam besim të plotë se këta lojtarë do të performojnë në nivelin që pritet nga një ekip si Liverpool”.
Liverpool udhëtoi në Turqi pa Alisson Becker dhe Federico Chiesa, ndërsa portieri Giorgi Mamardashvili pritet të startojë për herë të 11-të këtë sezon.