Mohamed Salah nuk është i shpërqendruar, pavarësisht se publikisht tha se ishte i pakënaqur me situatën e kontratës së tij me Liverpulin, këmbëngul trajneri Arne Slot.
E ardhmja e Salahut dominoi konferencën e shtypit të Liverpulit përpara ndeshjes me Realin e Madridit, ndërsa sulmuesi tha se ndoshta ishte “më shumë jashtë sesa brenda”, pasi shënoi dy herë për kryesuesit e Premier Ligës në fitoren me përmbysje të së dielës ndaj Sauthemptonit. Trajneri i Liverpulit refuzoi të komentojë ecurinë e negociatave me yllin e tij, të cilit i skadon kontrata në verë dhe tha se atij ende nuk i është ofruar një marrëveshje e re.
“E vetmja gjë që mund të them është se kur shikoj formacionet e mia, Mo është më shumë brenda sesa jashtë. Këtë citat mund t’ju jap”, tha Slot. Holandezi shtoi: “Ai nuk është aspak i shpërqendruar. Nuk e kam parë pas ndeshjes kundër Mançester Junajtidit kur ai bëri komentet. Nuk pashë asgjë sot, ai është plotësisht i fokusuar në ndeshjen e nesërme (kundër Realit). Nëse do të kishit qenë sot në qendrën stërvitore, askush nuk foli për këtë, të paktën kur isha unë atje. Lojtarët janë gjithashtu të fokusuar në afatin e shkurtër. Ajo është Reali i Madridit dhe Mançester Siti. Unë nuk mendoj se ka ndonjë shpërqendrim për të, lojtarët dhe padyshim jo jo për mua”.
Sot në “Anfield” luhet një klasike europiane dhe Slot thotë se Reali i Madridit është një skuadër që gjen gjithmonë mënyra të ndryshme për të fituar dhe se ai pret një betejë të madhe. “Ne mund të marrim shembuj nga Reali i Madridit. Ata gjejnë gjithnjë mënyra të ndryshme për të fituar. Edhe pse ne mund të jemi me fat dhe të jemi një apo dy gola në avantazh, unë mendoj se të gjithë e ndjejnë që Reali i Madridit ka diçka më shumë se klubet e tjera me të cilat përballemi, ata dinë të përmbysin. Unë nuk mund të flas për skuadrat e tjera me të cilat jam përballur. Unë u kam thënë ish-klubeve të mia gjatë gjithë kohës se ne duhet të ndjekim shembullin e Realit, ndërsa ata gjejnë gjithnjë në mënyrë për të fituar”.
Ai diskutoi dy sulmuesit e Ançelotit, Kilië Mbape dhe Vinicius Zhunior, veçanërisht këtë të fundit, i cili së fundmi u dëmtua në një ndeshje kundër Leganesit: “Mbape ka treguar gjithmonë cilësinë e tij dhe është shumë e vështirë të luash kundër tij. Ai është një nga lojtarët më të mirë që ka futbolli sot. Ne i qasemi kësaj çështjeje ndryshe (me Vinicius që nuk luan), sepse një lojtar i ri do të luajë për ta. Duhet të presim diçka tjetër. Ai luajti pothuajse çdo ndeshje për ta, por është mjaft e vështirë për ne të kuptojmë se çfarë të presim.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL