Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte nis kapitullin e ri në Ligën e Kombeve, ku në ‘Fadil Vokrri’ pret Irlandën.
Kosova ka zhvilluar përgatitjen e saj gjatë ditëve të fundit, ndërsa në kampin e përfaqësueses mbretëron atmosferë pozitive para sfidës me irlandezët.
Përzgjedhësi Franco Foda e ka pranuar se Kosovën e presin katër ndeshje të vështira, duke e cilësuar Austrinë si favorite të grupit.
Megjithatë, trajneri gjerman ka theksuar se objektivi është që “Dardanët” të paraqiten mirë dhe ta ruajnë statusin në Ligën B.
“Na presin lojëra të vështira dhe Austria është favorite. Ne kemi qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B, pastaj, nëse paraqitemi mirë, të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, ka deklaruar Foda.
Në prag të kësaj përballjeje, Foda ka konfirmuar edhe ndryshimin në hierarkinë e kapitenëve. Shiritin e kapitenit do ta mbajë sulmuesi Vedat Muriqi, ndërsa Mërgim Vojvoda do të jetë zëvendëskapiten.
“Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar këtë edhe me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda”, tha Foda.
Në anën tjetër, përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, ka vlerësuar lart Kosovën dhe veçanërisht kapitenin e ri të “Dardanëve”, Vedat Muriqin.
“Vedat Muriqi ka shënuar 32 gola në 68 ndeshje dhe ka shtatë gola në 10 paraqitje për Fenerbahçen deri më tani këtë sezon. Por ka edhe lojtarë të tjerë që kërkojnë vëmendje, pasi janë lojtarë cilësorë”, deklaroi Hallgrímsson.
Ndeshja Kosovë – Irlandë, nis nga ora 20:45.