Tuesday, 26. May 2026
Futboll

“Sot jemi të trishtuar, të lënduar… por…”, Muriqi letër publike tifozëve të Mallorca-s pas rënies në Segunda Divizion

GS 26/05/2026 2 Min. Lesezeit

Pavarësisht 23 golave të shënuar nga Vedat Muriqi, Mallorca nuk ia doli të shpëtonte dot dhe sezonin e ri do të luajë në Segunda Divizion. Muriqi ka reaguar sot përmes një letre publike drejtuar tifozëve të Mallorca-s.

“Sot fjalët vërtet peshojnë shumë. Sepse dhimbja dhe trishtimi që ndjen ti, i ndjej edhe unë, thellë në zemër të zemrës sime.

Gjatë gjithë sezonit qeshëm së bashku, vuajtëm së bashku. Jetuam momente të vështira, por kurrë nuk e humbëm besimin tek njëri-tjetri. Sa herë që dilja në fushë, ndjeja përgjegjësinë për të mbrojtur këtë fanellë dhe të ndjeja mbështetjen tuaj pas meje gjithmonë më jepte forcë.

Futbolli ndonjëherë mund të jetë shumë mizor. Por të gjithë ata që e njohin shpirtin e Mallorca-s e dinë një gjë: ky klub gjithmonë ka ditur si të ngrihet përsëri. Dhe unë besoj në këtë me gjithë zemër.

Sot jemi të trishtuar, të lënduar… por kjo stemë do të kthehet në vendin që meriton. Sepse historia e Mallorcas nuk është shkruar kurrë me dorëzim.Faleminderit të gjithëve që ishin me ne në çdo moment”, e mbyll Muriqi letrën e tij.

Për sulmuesin dardan ka një interes të madh nga Superliga turke, ku e kërkojnë dy ekipet e mëdha si Galatasaray dhe Fenerbahce. Megjithatë, deri tani Muriqi ende nuk ka folur për të ardhmen e tij. Nuk përjashtohet mundësia që të qëndrojë sërish te Mallorca, duke ditur lidhjen speciale që ka krijuar me këtë klub.

Teilen: