Sot edhe zyrtarisht nis seria finale mes Trepçës e Golden Eagle Ylli në kuadër të “Play Off-it” në Superligën e basketbollit.
Mitrovicasit patën një super edicion, duke i fituar deri tash tre trofe, Kupën e Ligës, Superkupën dhe Ligën Unike.
Po ashtu, Xehetarët e mbyllën edicionin e rregullt në pozitën e parë në tabelë me 25 fitore e vetëm tre humbje.
Mitrovicasit në gjysmëfinale të “Play Off-it” patën punë me Sigal Prishtinën, të cilën e kaluan lehtësisht 3:0 në seri.
Në krahun tjetër, Golden Eagle Ylli e mbylli edicionin i treti me 19 fitore e nëntë humbje.
Në çerekfinale eliminuan Bashkimin 2:0 në seri, derisa në fazën gjysmëfinale skuadrën e Pejës, pas një trileri basketbolli në sfidën e fundit 3:2 në ndeshje.
E tash, të dy ekipet do i matin forcat në finalen e madhe e cila serinë do ta nis në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Sa i përket përballjeve direkte në edicionin e rregullt, dy herë ka triumfuar Trepça, e dy herë Ylli.
Këto dy skuadra ishin takuar në finale të Ligës Unike, që përfundoi me fitoren e mitrovicasve në një sfidë dramatike 66:67.
Trepça nuk e ka fituar titullin kampion që nga viti i largët 2012, kurse Ylli herën e fundit e fitoi para dy sezoneve, pikërisht ndaj Trepçës 3:1 në seri.
Therandasit duan ta rikthejnë titullin në qytetin e tyre dhe ta fitojnë atë për herë të tretë në histori. Skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione.
Pra sfida e parë mes Trepçës e Yllit zhvillohet sot nga ora 19:00.