Formati i ri i Ligës së Kampionëve do të ketë çifte të paracaktuara për fazën e 1/8-ve, çerekfinalet dhe gjysmëfinalet.
Tetë skuadrat më të mira në fazën e ligës presin fituesit e play-offit pa pasur dhe avantazhe sado të vogla, si për shembull ndeshjen e kthimit në shtëpinë e atyre që janë rendit7ur më mirë në fazën e grumbullimit të pikëve. Gjithçka do të mësohet sot në mesditë (12:00) në Nion kur goglat të rrotullohen dhe të përcaktojnë rrugëtimin e 16 skuadrave të mbetura në garë deri në finalen e madhe. Për disa skuadra rruga mund të jetë më e lehtë. Për të tjera do të jetë më e ndërlikuar. Por me siguri që në fazën e 1/8 e finaleve mund të ketë përballje gjigantësh.
“BOMBA” NË MADRID – E kur flasim për shortin dhe parashikimet e tij, “bomba” në këtë fazë mund të jetë një derbi i Madridit. Reali i Madridit, pasi siguroi vendin në 1/8, tashmë i di dy rivalët e mundshëm me të cilët mund të përballet në 1/8 e finaleve. Ato janë Atletiko e Madridit ose Bajer Leverkusen (Gjermani). Pikërisht, në Madrid, në pjesën e bardhë të tij duan Atletikon në 1/8. Pavarësisht se “colchoneros” janë një skuadër që mund t’i hapin shumë punë skuadrës së Ançelotit, Mbape me shokë duan pikërisht Atletikon përballë. “Dua Atletikon, dua t’i eliminoj” ishte deklarata e francezit pas tregolëshit kundër Mançester Sitit të mërkurën në mbrëmje. Barcelona nga ana saj është në ankth, nëse përballë do të ketë Benfikën ose Paris SG-në. Të dy janë rivalë të njohur për blaugranat. Me Benfikën luajtën në fazën me grumbullim pikësh në një fitore të paharrueshme në Lisbonë 4-5 me një gol në minutat shtesë nga Rafinja që i preu biletën për mes tetë të parave. Sigurisht që në Barcelonë do të ishin të kënaqur me Benfikën. Sepse nga ana tjetër është Paris GSja e ish-it, Luis Enrike.
LLOGARITË E HAPURA – T’i rikthehemi një derbi të supozuar… Nëse tekat e fatit përcaktojnë çiftet sot në orën 12:00, Reali dhe Atleitko do të jenë përballë në atë që do të jetë dueli më tërheqës i kësaj faze. Natyrisht që në garë janë dhe Barcelona spektakolare në këtë sezon, është dhe Liverpuli e Paris SG-ja. Por nga të gjitha çiftet e mundshme, derbi i Madridit do të ishte ai me ngarkesën më të madhe emocionale. Paralelisht me luftën për La Ligën dhe Kupën e Mbretit, me të dyja krah Barçës në luftën për të dy titujt, do të ishte një derbi madrilen që, në versionin evropian ka një histori të gjatë. Veçanërisht e hidhur për “colchoneros” dhe mjaft e këndshme për “merengues”.
Kujtimet e të dy tifozërive përfshijnë finalet në Lisbonë (2014) dhe Milano (2016), me Realin fitues në të dy rastet. Ishte gjithashtu skuadra e bardhë që doli fituese nga përplasja mes të dyjave në çerekfinalet e vitit 2015 dhe në gjysmëfinalet e vitit 2017. Kur luhet himni i Champions League, Reali i Madridit, pavarësisht se kush ka qenë në krye, e ka mposhtur gjithnjë Atletikon e Diego Pablo Simeones. Kështu ka qenë deri tani. Nëse goglat do të tregohen kapriçoze të gjithë do të shijojnë dy përplasje me tension të lartë në gjysmën e parë të marsit dhe, nëse ndodhin, Leverkuseni dhe Bajerni i Mynihut do të çiftoheshin së bashku. Nëse goglat nuk përcaktojnë se do të ketë një derbi, ata do të diktojnë Real Madrid-Leverkusen dhe Bajern-Atletiko Madrid.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL