Kosova ka zhvilluar dje stërvitjen e fundit para ndeshjes me Rumaninë, që do ta luajë sot në orën 20:45 në stadiumin “Arena National” të Bukureshtit.
Në konferencën për mediat, trajneri Franko Foda ka thënë se do bëjë disa ndryshime në formacion, kjo edhe për shkak të mungesave. Në këtë duel “dardanët” do të futen për pikët e plota, por janë të ndërgjegjshëm se me çfarë kundërshtari kanë të bëjnë. Gjithsesi, për të fituar grupin, do t’u duhet të triumfojnë përballë Rumanisë, që aktualisht është kryesuese e grupit me 12 pikë, ndërsa Kosova ndjek me nëntë pikë. Ndërkohë, trajneri Foda ka thënë se do të jenë të detyruar që të bëjnë disa ndryshime në formacion.
“Duke pasur parasysh mungesat që i kemi, do të detyrohemi të bëjmë disa ndryshime, qoftë taktike, qoftë mënyrës së si do t’i qasemi kundërshtarët. Kjo është e kuptueshme për shkak të mungesave që kemi”, ka thënë fillimisht trajneri i “Dardanëve”, duke iu referuar mungesave të Ermal Krasniqit, Laert Paqaradës, Donat Rrudhanit, Emir Sahitit dhe Milot Rashicës.
“Sa i përket aspektit se a jemi këtu për të fituar, natyrisht se do të futemi në fushë për t’i marrë pikët e plota. Është e rëndësishme që të paraqitemi mirë edhe si skuadër. Pra, të jemi më agresiv, të jemi në zotërim të topit. Kur nuk e kemi topin, të tentojmë ta kemi sa më shpejt.
Kemi 90 minuta për të arritur fitoren, nuk do të thotë që në sekondat e parë të synojmë të marrin atë. Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta fitojmë këtë ndeshje”, përfundoi trajneri i Kosovës. Kujtojmë që pas humbjes në ndeshjen e parë me Rumaninë, “Dardanët” arritën të merrnin tri fitore radhazi.
PANORAMASPORT.AL