Një milion euro për huazimin dhe dhjetë për ta blerë. I tillë është investimi i Milanit për Rikardo Sotilin që dje u prezantua për tifozët e tij të rinj përpara mediave.
Pasioni juaj për Milanin ka lindur shumë kohë më parë…
Falënderoj drejtuesit e Milanit që besuan tek unë. Jam tifoz që fëmijë me këtë skuadër dhe kam pasur dobësi për Paton. Por edhe për Ronaldinjon dhe Ibrën, që i kam parë duke luajtur edhe në stadium.
Çfarë prisni nga aventura juaj në Milano? Pse zgjodhët 99?
Kur je te Milani, në një klub si ky, pritshmëria është të fitosh. Jam këtu për të vënë veten në dispozicion të shokëve e trajnerit dhe dua të tregoj se e meritoj këtë mundësi. 99 është viti im i lindjes.
Sa ju stimulon konkurrenca nga bashkëlojtarët tuaj?
Kur mbërrin në një klub të tillë, e kupton madhështinë e në të gjitha detajet, brenda dhe jashtë fushës. Kam gjetur një ekip me lojtarë shumë të fortë dhe pres të përmirësohem në të gjitha aspektet. Fola me trajnerin, më pyeti se si isha fizikisht, por unë jam në dispozicion dhe ai do të dijë kur dhe ku të më vendosë dhe jam gati të luaj.
Cili është pozicioni juaj i preferuar në fushë?
Kam mbuluar role të shumta në sulm, kryesisht në krahun e djathtë dhe të majtë. Nëse më duhet të luaj në të djathtë, do të luaj, sikur të më duhet të luaj në të majtë, do të luaj. Nuk ka probleme.
Çfarë mund t’i vidhni Leaos?
Rafa është një lojtar shumë i fortë, mëson shumë nga një fenomen i tillë. Ai ka një talent të jashtëzakonshëm dhe unë duhet të përpiqem të kopjoj lëvizjet e tij, driblimet e tij, mënyrën se si manovron. Është kampion dhe e kam ndjekur me interes në sezonin kur Milani fitoi kampionatin.
Kur sulmon kundërshtarin je shumë i fortë, por trajneri do të të kërkojë të mbrosh shumë…
Në futbollin modern gjithmonë duhet t’i bësh të dyja fazat. Edhe nëse je anësor sulmues, duhet ta ndihmosh skuadrën. Për të fituar, të gjithë duhet ta bëjnë dhe unë dua ta bëj në të dyja fazat.
Çfarë përshtypje të ka lënë të luash me Feliks, Gimenez, Leao?
Ndjeva një emocion të madh, sepse kur “San Siro” thërret emrin tënd, të jep një nxitje të madhe. E kam ëndërruar kur kam qenë i vogël dhe dua të bëj më të mirën për këtë fanellë dhe për këta tifozë.
PANORAMASPORT.AL