Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Lajmi është bërë i ditur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët, ku ka dhënë detaje mbi ecurinë e hetimeve dhe punën e kryer nga grupi hetimor.
Sipas informacioneve të bëra publike, për hetimin e kësaj dosjeje janë angazhuar dy prokurorë dhe 10 hetues. Ndërkohë, prokurori Dritan Prençi ka bërë të ditur se në kuadër të hetimeve janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1 milion e 830 mijë euro.
Çështja ndaj Ballukut lidhet me hetimet për procedurat e tenderimit të disa veprave publike, mes tyre Tuneli i Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Disa javë më parë SPAK i komunikoi pesë akuzat përfundimtare ish-zv.kryeministres Belinda. Sipas njoftimit të SPAK, Balluku akuzohet për 5 vepra penale, që lidhen me procedurat e prokurimit publik, korrupsionin, deklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
““Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme). Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale”, thuhej në njoftimin e SPAK.
/rtsh.al/