Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, analizoi barazimin pa gola ndaj Torinos në “Allianz Stadium”, një ndeshje që i dha skuadrës së tij vetëm një pikë, por e mbajti ende të pamposhtur në kampionat. Pas takimit, tekniku italian foli për gabimet, lodhjen e skuadrës dhe situatën e disa prej lojtarëve kryesorë.
“Kur përballesh me një kundërshtar që mbrohet me shumë lojtarë, duhet të rritësh cilësinë dhe shpejtësinë e qarkullimit të topit. Në këtë aspekt duhet të përmirësohemi, sepse nuk arritëm të krijonim lojë në nivelin që kemi. Duhet të punojmë më shumë për ta përkthyer dominimin në raste konkrete,” – tha Spalletti pas përfundimit të derbit të Torinos, që përfundoi 0-0.
Trajneri bardhezi pranoi se disa lojtarë ndien lodhje pas një periudhe të ngarkuar: “Kishte pak lodhje te disa prej tyre. Kam bërë disa zgjedhje pikërisht për këtë arsye, por jam shumë i kënaqur me skuadrën, sepse u përpoq deri në fund. Rrezikuam në disa kundërsulme, por në përgjithësi kontrolluam ndeshjen. Një nga pritjet e mëdha të Di Gregorios erdhi pas një topi të humbur nga ne, gjë që tregon se duhet më shumë saktësi.”
Në lidhje me Dusan Vlahovicin, që u zëvendësua në pjesën e dytë nga Jonathan David, Spalletti sqaroi: “Vlahovic kishte një problem të vogël në shpinë, por tregoi guxim duke luajtur dhe duke i ndihmuar shokët. Ishte i rraskapitur kur e zëvendësova. David është më i mirë në hapësira të ngushta dhe me lëvizje të shpejta, ndërsa Dusan jep më shumë prani fizike. Të dy e kanë bërë mirë rolin e tyre.”
Në fund, Spalletti komentoi edhe disa tensione me pankinën e Torinos: “E njoh Coluccin prej shumë vitesh dhe i thashë që një prej lojtarëve të tij në stol bëri sikur do të na kthente topin, por nuk e bëri. Këto janë gjëra që nuk duhen, sidomos në një derbi. Por, po, janë situata normale që ndodhin në ndeshje me shumë emocione.”


