Paraja është shndërruar në një nga faktorët kryesorë në botën e futbollit, dhe në Lindjen e Mesme atë e posedojnë me tepri. Jo vetëm lojtarë, por arabët arritën që të “joshnin” edhe një trajner si Roberto Mancini, i cili braktisi kombëtaren e Italisë për atë të Arabisë Saudite.
Axurrët i besuan “timonin” Luciano Spallettit që pasi mbylli aventurën si kampion me Napolin, do të tentojë edhe triumfin me katër herë Kampionët e Botës. Së fundmi, Spalletti “thumbon” Mancinin duke theksuar se edhe ai pati oferta nga Arabia, por zgjodhi Italinë pavarësisht parave.
“Unë mund të vazhdoja të trajnoja larg Italisë ashtu siç bëra kohë më parë kur drejtoja Zenitin.
Pata oferta nga Arabia, por nuk është ai futbolli që më tërheq. Kjo kombëtare është ëndrra ime”, tha Spalletti, i cili më tej u ndal edhe te Euro 2024 që zhvillohet në Gjermani, me Italinë që bën pjesë në Grupin B së bashku me Shqipërinë, Kroacinë dhe Spanjën.
“Në Europian nuk mund të shkohet sa për të marrë pjesë, ne shkojmë për të luftuar deri në fund. Do të synojmë maksimumin pasi jemi kampionët në fuqi dhe nuk mund të kënaqemi me një rezultat më të keq se Euro 2020, edhe pse suksesi do të jetë mjaft i vështirë për t’u përsëritur”, u shpreh Spalletti.