Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, thuajse e ka të fiksuar formacionin me të cilin pritet të zbresë në fushë të premten në Shtutgart kundër Gjermanisë. Sipas mediave spanjolle 10 nga 11 lojtarët që luajtën nga minuta e parë kundër Gjeorgjisë pritet të jenë në fushë edhe ndaj Gjermanisë.
Natyrisht duke përjashtuar këtu ndonjë dëmtim të minutës së fundit. Kjo do të thotë se në formacionin titullar të Spanjës ka vetëm një vend për dy lojtarë. Dhe ai që rrezikon shumë vendin e titullarit është Pedri Gonzalez.
Sipas “Marca” pritet një balotazh i fortë mes mesfushorit të Barcelonës dhe atij të Lajpcigut, Dani Olmo. Olmo tregoi se po troket në derën e De la Fuentes për një vend titullari pas golit dhe kontributit të shkëlqyer të tij kundër Gjeorgjisë.
Paraqitja e tij tregoi se atij i ka ardhur koha për të qenë në formacionin titullar. Pa harruar këtu dhe paraqitjen mjaft të mirë që ai bëri edhe kundër Shqipërisë. Në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, mesfushori i Lajpcigut hyri në vend të Pedrit, duke i dhënë një tjetër ritëm lojës së Spanjës. Ndaj kundër Gjermanisë ai ka hedhur kandidaturën për një vend titullari.