Stadiumi “Allianz Arena” në Munih është arenë e spektaklit përfundimtar të Ligës së Kampionëve për këtë edicion.
Finalja mes Paris Saint-Germainit dhe Interit zhvillohet të shtunën prej orës 21:00. Rumuni Istvan Kovacs është gjyqtar i ndeshjes, që pritet të jetë spektakël futbolli.
Parisi ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Francës, synon tripletën dhe gjithashtu trofeun e parë të garës elitare evropiane. Ishte në finale edhe në vitin 2020, por ishte mposhtur nga Bayerni.
Interi ka tre trofe evropianë. Garën elitare kontinentale fillimisht e fitoi në vitin 1964 e më pas edhe në vitin 1965. Championsit iu gëzua në vitin 2010 kurse e humbi finalen e dy vjetëve më parë nga Manchester City.
Finalja e Championsit për Interin është mundësi e artë për të shpëtuar një edicion të vështirë. Skuadra e Simone Inzaghit e humbi garën për titull në Serie A nga Napoli. Dështoi edhe në Kupën e Italisë.
Në Champions, dy finalistët kanë pasur rrugëtim interesant. Parisi mezi e kaloi fazën e ligës. U rendit i 15-i dhe vazhdoi në plejofin e fazës nokaut. E eliminoi lehtë Brestin e më pas e kaloi Liverpoolin, tashmë kampionin e Anglisë. Në çerekfinale e kaloi skuadrën tjetër angleze, Aston Villa, ndërsa në gjysmëfinale e eliminoi Arsenalin.
Interi në fazën e ligës ishte dukshëm më i suksesshëm. Përfundoi i katërti dhe kaloi direkt në një të tetën e finales.
E kaloi me mund Feyenoordin holandez e në çerekfinale e eliminoi Bayernin. Në gjysmëfinale “neroazzurët” e fituan dramën me Barcelonën, 7:6, pas dy ndeshjeve. Tani dy skuadrat e kërkojnë lavdinë evropiane, të lakmuar aq shumë.
Fokusi pritet të jetë maksimal të shtunën mbrëma në stadiumin në Munchen dhe skuadra që e mbanë për kohë më të gjatë nivelin superior, pritet të festojë në fund.