Me ndeshjet ndërkombëtare të arkivuara, tani vëmendja rikthehet te Premier Liga, ndërsa Liverpuli do të përpiqet të mbyllë çështjen e titullit, pasi gëzon një avantazh të madh në garën për titullin.
“Reds”-at kryesojnë bindshëm garën për titullin e Premier Ligës, ndërsa kampionati po hyn në fazën e tij përfundimtare. Kryesuesit e Arne Slotit kanë një avantazh prej 12 pikësh ndaj vendit të dytë, Arsenalit, me vetëm 9 ndeshje të mbetura në sezonin 2024-‘25. Ndërkohë, Notingem Forest renditet në vendin e tretë, edhe 4 pikë më pas. Liverpuli e rinis nga një derbi kundër Evertonit, që zhvillohet në “Anfield” më 2 prill, ora 21:00, vetëm 24 orë pasi Arsenali pret Fulhamin në “Emirates Stadium”.
Në muajin maj, Liverpuli do të udhëtojë në “Stamford Brdige”, pastaj do të presë Arsenalin në “Anfield”, ndërsa takimi i parafundit do të jetë ndaj Brjtonit në transfertë, përpara se të mbyllë sezonin më 25 maj kundër Kristal Palasit. Nga ana tjetër, Arsenal do të presë Bornmëthin përpara duelit me Liverpulit më 10-11 maj, ndërsa dy ndeshjet e fundit të “Topçinjve” janë kundër Njukasëllit (në shtëpi) dhe Sauthemptonit (në transfertë).
Liverpulit i nevojiten vetëm 16 pikë nga 9 ndeshjet e fundit për t’u shpallur matematikisht kampion i Premier Ligës. Data më e hershme që “Reds”-at të shpallen kampionë është kur të presin Uest Hemin të dielën e 13 prillit. Nëse Arsenali humbet dy ndeshjet e ardhshme kundër Fulhamit dhe Evertonit, ndërsa Liverpuli fiton dy ndeshjet e tij kundër Evertonit dhe Fulhamit, atëherë diferenca mes dy skuadrave do të rritet në 18 pikë, me vetëm 21 pikë të mbetura për t’u luajtur. Një tjetër humbje e Arsenalit ndaj Brentfordit më 12 prill do t’i linte ata 18 pikë pas, me vetëm 18 pikë të disponueshme, që do të thotë se Liverpuli mund ta sigurojë titullin më 13 prill me një barazim kundër Uest Hemit.ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL