Tifo grupi i Drenicës, “Shqiponjat e Zeza” kanë sqaruar reagimin e tyre në lidhje me bojkotin ndaj skuadrës, ditë më parë.
Trajneri Bylbyl Sokoli ishte në shënjestër të grupit, për mungesë rezultatesh dhe arrogancën ndaj tifozëve.
Të mërkurën, skuadra nga Skenderaj triumfoi 0:1 ndaj Dritës në Gjilan, duke e realizuar fitoren e dytë sezonale nga katër ndeshjet e zhvilluara.
Pas këtij rezultati, tifozët kanë thënë se reagimi i tyre në fakt ishte vetëm me sjelljen e trajnerit Bylbyl Sokoli pas ndeshjes me Ballkanin, kur nuk lejoi lojtarët të afroheshin te tifozët. Ata kanë theksuar se nuk janë të ndikuar nga politika dhe se dashuria e tyre i përket vetëm klubit të Drenicës.
Reagimi i plotë:
SQARIM!
Ne, Shqiponjat e Zeza zëri i qytetit tonë, kemi qenë gjithmonë pranë Drenicës, në fitore e në humbje.
Por, kur në Suharekë pas humbjes ndaj Ballkanit, trajneri Bylbyl Sokoli u tregua arrogant dhe nuk lejoi lojtarët të vinin pranë tifozëve, ai tregoi mosrespekt për dashurinë dhe përkushtimin tonë. Për këtë arsye, ne vendosëm bojkotin deri në shkarkimin e tij.
Pas reagimeve tona, faqja zyrtare e klubit u mundua të na etiketojë si tendenciozë. Ne e themi qartë: Shqiponjat e Zeza nuk janë as tendencioze, as të manipuluar! Ne jemi tifozët e vërtetë, ata që kanë mbajtur gjallë zjarrin e këtij klubi shumë vite para çdo trajneri apo drejtuesi.
Ndërsa pamë edhe komente kinse behet nga politika, politika nuk ka vend dhe nuk do ketë kurrë te Shqiponjat e Zeza
Bylbylin e kemi përkrahur edhe kur u shkarkua, e edhe kur u bë deputet sepse politika nuk na intereson, vetëm klubi Drenicës!
Fitorja e sotme e Drenicës na gëzon, sepse mbi të gjitha e duam ekipin tonë, por ajo nuk na e mbyll gojën! Drenica është më e madhe se çdo individ.
Ne jemi zemra, gjaku dhe zëri i këtij qyteti – Shqiponjat e Zeza, Zemra e qytetit tonë!