Stadiumi i ri i Valiasit me mbështetjen e FSHF-së, në fazë të avancuar punimesh
Federata e Futbollit po vijon fuqishëm punën në modernizimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, duke ndërtuar stadiume dhe fusha të reja në të gjithë vendin si edhe duke rikonstruktuar impiante ekzistuese me qëllim krijimin e kushteve dinjitoze për zhvillimin e futbollit shqiptar.
Një nga projektet më të rëndësishme në proces është ndërtimi i stadiumit të ri në Valias të Kamzës. Punimet kanë nisur në muajin shtator dhe po ecin me ritme të shpejta. Përfaqësues të FSHF-së, të angazhuar në ndjekjen e të gjitha fazave të projektit, zhvilluan së fundmi një inspektim në kantier për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.
Deri më tani ka përfunduar karabinaja e stadiumit, ndërsa puna ka avancuar edhe në shtresat e bazamentit të fushës. Stadiumi do të jetë i Kategorisë së 1-rë dhe do të ketë një kapacitet prej rreth 1400 vendesh për tifozët.
Federata e Futbollit ka marrë përsipër shtrimin e fushës me tapet artificial, vendosjen e portave, si edhe pajisjen me makineri të posaçme për mirëmbajtjen e saj, duke garantuar standarde të larta dhe kushte optimale për aktivitetet sportive që do të zhvillohen në këtë impiant të ri.