Mbërriti në ndeshjen e madhe në formën e tij më të mirë që kur iu bashkua Juventusit. Por më e fuqishme se forma dhe besimi, për Dushan Vlahoviç, ishte dukshëm tabuja e “San Siro”-s, stadiumi në të cilin ai ka luajtur më shumë ndeshje pa arritur të shënojë.
Një seri që shtrihet në 8 ndeshje nga 8, me Fiorentinën fillimisht e më pas bardh e zi, si ndaj Milanit ashtu edhe ndaj Interit, gjithmonë “thatë” në stadiumin historik milanez. Vinte nga katër ndeshje radhazi me gola dhe kishte shënuar shtatë herë në gjashtë ndeshjet e fundit.
Nëse do të kishte një mbrojtje që mund të pritej ta ndalonte, ishte e kuptueshme që ishte e Interit: më e mira në Serinë A me vetëm 10 gola të pësuar në 22 ndeshje, dhe kjo kundër Juves është e 14-ta në të cilën ata kanë mbajtur portën të paprekur.
NERVOZ – Por përveç se si e ndaluan zikaltrit, për Vlahoviçin ishte e rëndësishme edhe se si e ndaloi veten. Së pari prej nervave. Një aspekt që Alegri e ka mëshuar gjithmonë fort si një levë për të përforcuar rritjen teknike të serbit. Ja që në “San Siro” Dushani ishte i pari i ndëshkuar, pas 18 minutash, pikërisht për protesta. Jo e para, por të paktën e treta apo e katërta, aq flagrante sa që u duk sikur mezi e priste atë karton.
Një zemërim që ai e mbajti me vete për një pjesë të mirë të mbrëmjes, u shfry për shembull ndaj të gjorit Ueh në fund, dhe kishte nevojë që Gati të shkonte dhe të vepronte si paqeruajtës. Nervat janë si benzinë për të luajtur me energjinë e duhur, por ndaj Interit ishte qartësisht i orientuar në një mbrëmje gabimesh: 13 topa të humbur, asnjë lojtar i Juventusit nuk bëri më keq ndërkohë që ishte gjithashtu lojtari i Juventusit që bëri më shumë faulle, tre.
RASTET E HUMBUARA… – Nuk ka dyshim se Dushani luftoi dhe u përplas, por është e pashmangshme të mendosh për nervat e tij, kur gaboi në çdo moment që mund të bënte diferencën. Të paktën dy raste flagrante, por ndaj Interit Vlahoviç mbylli me një goditje jashtë portës dhe me statistika që me pak vëmendjen do të kishin ndryshuar kuptimin e mbrëmjes për të dhe Juven.
Ja që në fushë u pa një sulmues nervoz që më shumë u grind me topin se sa luftoi për të, madje edhe kur duhet të bënte detyrën, gjeti shkak te leximi i lojës. Ja që gaboi ai, dhe jo shokët. Testi i “San Siro”-s e ngeli përsëri në klasë bomberin.
Përgatiti: REINIOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL