Simone Inzaghi vazhdon të shkruajë faqe të rëndësishme në historinë e Interit dhe të Ligës së Kampionëve. Pasi eliminoi Bayern Munich dhe u kualifikua në gjysmëfinale për herë të dytë në tri vitet e fundit, trajneri nga Piacenza konfirmohet si një ndër më të mirët në Europë që nga viti 2020 e deri më sot.
Me 49 ndeshje në stol në Champions, siç shkruan “Tuttosport”, Inzaghi është trajneri i tretë me më shumë prezenca në kompeticion gjatë 4 viteve të fundit, pas Guardiolës (58 ndeshje) dhe Ancelottit (52 ndeshje). Por ndryshe nga ata, ai do të jetë sërish protagonist në fazën finale.
Me një mesatare pikësh prej 1.86 (që ngjitet në 1.98 në 41 ndeshjet me Interin), ai renditet menjëherë pas emrave të mëdhenj si Guardiola, Ancelotti, Nagelsmann, Klopp dhe Tuchel, ndër trajnerët me të paktën 25 prezenca në këtë kompeticion.
Një rrugëtim në ngjitje që ka tërhequr vëmendjen edhe të disa prej klubeve më të mëdha europiane, por Interi dëshiron ta “blindojë”. Siç ka konfirmuar Beppe Marotta, rinovimi është tashmë një formalitet: kontratë deri në vitin 2027, me opsion deri më 2028 dhe pagë prej 7 milionë euro në vit.
Sezoni është ende i hapur. Në pritje të gjysmëfinales së Champions-it kundër Barcelonës dhe të gjysmëfinales së kthimit të Kupës së Italisë kundër Milanit, Interi do të luajë për Pashkë sfidën kyçe të titullit ndaj Bologna.
Inzaghi dhe klubi zikaltër nuk kanë bërë zgjedhje parësore si objektiv të sezonit, ngaqë synojnë gjithçka. Dhe sido që të shkojë, ky sezon do të mbahet mend si kulmi i një cikli që e ka rikthyer Interin mes të mëdhenjve të Europës.