N umërimi mbrapsht ka nisur për të njo hur finalisten e Ligës së Europës, ku vetëm një mes Borusias së Dortmundit dhe Realit të Madridit do të bëjë festë në mbrëmjen e “Uemblit”. Këto dy skuadra do të jenë përballë njëra tjetrës për të 15-ën herë në një kompeticion europian dhe gjithmonë në Champions. Reali është kundërshtari spanjoll me të cilin Dortmundi është ndeshur në më shumë raste në këtë kompeticion (14 herë), ndërsa “Galaktikët” më shumë sesa me verdhezinjtë janë ndeshur me Bajernin e Mynihut (22 herë) dhe me Juventusin (16 herë). Gjithsesi, lidhur me statistikat e tjera që ofron dueli më i rëndësishëm për klube në këtë sezon, ato janë si më poshtë:
– Borusia e Dortmundit ka fituar vetëm 3 nga 14 duelet kundër Realit (5 barazime dhe 6 fitore madrilene). Mes skuadrave me të cilat është ndeshur të paktën 5 herë në këtë kompeticion, vetëm kundër Mançester Sitit gjermanët kanë një përqindje suksesi më të ulët (17 %), kundrejt asaj ndaj Realit të Madridit (21 %).
– Përballja e fundit mes Borusias së Dortmundit dhe Realit të Madridit në Champions daton në sezonin 2017- 2018. Në atë rast fitore e spanjollëve në të dyja ndeshjet, 3- 1 në transfertë dhe 3-2 në shtëpi.
– Reali i Madridit do të zhvillojë një finale të Kupës së Kampioneve/Champions League për të 18-ën herë në historinë e tyre si klub. Edhe me 17 precedentët e mëparshëm për spanjollët përbënte një rekord absolut të këtij kompeticioni dhe çfarë është më e çmendura, ata kanë fituar 14 nga 17. Nëse arrijnë që të fitojnë edhe mbrëmjen e sotme, ato do të kenë më shumë sesa dyfishin e trofeve kundrejt ndjekëses më të afërt në këtë renditje, Milanit, të ndalur në kuotën e 7 trofeve Champions.
– Borusia e Dortmundit do të luajë finalen e tretë në Ligën e Kampioneve: fitore ndaj Juventusit në 1996-1997 dhe humbje ndaj Bajernit të Mynihut në sezonin 2012- 2013. – Përballja e sotme në finale mes një skuadre spanjolle dhe gjermane është e para që nga viti 2002, kur sërish Reali i Madridit kaloi në shifrat 2-1 Bajer Leverkusenin.
– Në rast të një rezultati pozitiv, Reali i Madridit do ta mbyllte një sezon të Kupës së Kampioneve/Ligës së Kampioneve për herë të parë si i pamposhtur në historinë e tyre. Deri në finale, skuadra e Karlo Ançelotit numëron 8 fitore dhe 4 barazime në 12 ndeshje. Në rast se ia arrin që të ngrejë trofeun, Reali do të bëhet skuadra e dytë spanjolle që do të triumfonte pa asnjë humbje, pas Barcelonës në sezonin 2005-2006 (9 fitore dhe 4 barazime në 13 ndeshje).
– Borusia e Dortmundit e mbylli këtë sezon të Bundesligës në vend të pestë. I vetmi klubi gjerman që ka arritur që të luajë një finale të Ligës së Kampioneve duke u renditur edhe më poshtë sesa kaq në kampionatin vendas ka qenë Bajerni i Mynihut në sezonin 1974-1975 (i 10-ti në Bundesligë).
– Reali i Madridit, në këtë sezon të Ligës së Kampioneve, e ka parë vetën në disavantazh vetëm në 7.5 për qind të minutave të luajtura (në 90 nga 1200 në total). Askush tjetër nuk ka mundur të bëjë më mirë në historinë e Ligës së Kampioneve. Për më shumë, Reali ka mundur të fitojë 4 ndeshje nga situata disavantazhi në këtë sezon. Vetëm Barcelona në 1999-2000 dhe Reali në 2016- 2017 kanë mundur që të bëjnë më mirë, duke përmbysur 5 ndeshje brenda një edicioni të vetëm.
– Në sfidat kundër Borusias së Dortmundit, kundërshtaret e gjermanëve në këtë edicion të Ligës së Kampioneve kanë goditur 12 herë shtyllën. Nga këto 6 herë vetëm PSG-ja në dy gjysmëfinalet e luajtura. Mesa duket edhe fati ka qenë me verdhezinjtë…
– Mbrojtësi i Borusias së Dortmundit, Mats Humels, ka luajtur të gjitha minutat në dispozicion të këtij Champions-i. Hera e fundit që një lojtar (jo portier) ka mundur të bëjë këtë dhe madje në fund skuadra e tij ka arritur që të fitojë edhe trofeun europian ka qenë Kristiano Ronaldo në 2017-2018 me Realin e Madridit, por edhe një tjetër mbrojtës, Sami Hipia në 2004-2005, me Liverpulin.
– Duke marrë parasysh edhe ata që kanë qenë prezent në finalen e vitit 2013, prezenca në fushë e Mats Humelsit dhe Marko Rojsit, të Borusias së Dortmundit, përbën edhe hapësirën më të largët mes dy finalesh së Champions-it, që një lojtar ka luajtur (11 vite). Vetëm Xhanluixhi Bufon mes 2003 dhe 2015 (12 vite) apo edhe Lotar Mateus (1987-1995) kanë mundur që të luajnë në një distancë më të largët dy finale Champions-i.
– Nëse Xhejdon Sanço (Borusia Dortmund) dhe Xhud Bellingam (Real Madrid) do të luanin që të dy në këtë sfidë, atëherë do të jetë hera e parë që dy lojtarë anglezë përballen si rivalë në një finale të Ligës së Kampioneve, por duke mos mbajtur veshur asnjë bluzë të një klubi anglez.
– Në 3 edicionet e fundit të Ligës së Kampioneve (nga 2021-2022), Vinicius i Realit të Madridit është lojtari që ka qenë protagonist në më shumë gola (31, konkretisht me 16 realizime dhe 15 asiste. Nga këto, 17 kanë qenë në fazën me eliminim direkt (8 gola dhe 9 asiste) dhe askush nuk ka mundur që të bëjë më mirë se braziliani në këtë periudhë kohore.
– Vinicius ka shënuar 5 gola dhe ka ofruar 4 asiste në këtë Champions, pasi kishte shënuar 7 gola dhe ofruar 5 asiste në trofeun e fituar sezonin e kaluar. Vetëm një lojtar ka mundur që të bëjë të paktën 5 gola të shënuar dhe të paktën 5 asiste në dy edicione radhazi të Ligës së Kampioneve: Luis Figo që ka arritur ta bëjë këtë me Barcelonën në 1999-2000 (5 gola dhe 9 asiste) dhe sërish me Realin e Madridit në sezonin 2000-2001 (5 gola, 7 asiste).
– Mesfushori i Realit të Madridit, Toni Kros, është lojtari që ka ofruar numrin më të madh të pasimeve mes linjave të mbrojtjes rivale, në këtë Champions: 194, nga të cilat 64 mes minutave 60 dhe 90 të lojës. Një tjetër rekord absolut i këtij sezoni për gjermanin. Për më shumë, Toni Kros është edhe ai që ka ofruar më shumë pasime mes linjës së mbrojtjes rivale në gjysmëfinale, 45 në 180 minuta lojë.
– Xhud Bellingam i Realit të Madridit është futbollisti që ka bërë më shumë presing me intensitet të lartë (572 tentativa rikuperimi ndaj rivalëve), nga të cilat 344 vetëm në fazën me eliminim direkt. – Xhud Bellingam është mesfushori që ka krijuar më shumë raste për gol, duke qenë edhe nën presionin e të paktën një rivali që tentonte ta markonte, në këtë Champions: 19 raste, nga të cilat 4 kanë përfunduar me asiste milimetrike për gol. I vetmi lojtar që ka mundur të bëjë më mirë sesa Bellingami në këtë kategori është Marsel Sabitcer, i Borusias së Dortmundit, me 5 asiste për gol.
– Xhejdën Sanço numëron 25 driblime në 6 ndeshje të luajtura në këtë Champions. Ky përbën një rekord absolut kur bëhet fjalë për një lojtar në fazën me eliminim direkt. I vetmi që ka mundur të bëjë më mirë është Nejmar (32 driblime), me PSG-në finaliste të turneut, në sezonin 2019-2020.
– Hoselu i Realit të Madridit udhëton me një mesatare prej 10.1 goditjes në portën rivale, çdo 90 minuta lojë. Në këtë Champions sulmuesi ka goditur 30 herë në 268 minuta të luajtura, më shumë se çdo lojtar tjetër që numëron mbi 100 minuta lojë në këtë sezon të Champions-it. Në të njëjtën kohë, Hoselu sivjet është edhe rekordmeni për sa i përket mesatares gol/minuta të luajtura, duke shënuar një çdo 54 minuta. I vetmi që ka mundur të bëjë më mirë brenda një edicioni të Ligës së Kampioneve është Olivie Zhiru (1 gol çdo 43 minuta) në sezonin 2020-2021.
PANORAMASPORT.AL