Zhoze Murinjo ka bërë historinë e Interit në 108 ndeshje, Simone Inzagi do të provojë në 109. Shifrat, që tregojnë numrin e bankinave zikaltër, janë vetëm një nga detajet që lidhin të dy trajnerët, me portugezin, i cili u kthye në legjendë me atë Champions League të fituar në Madrid në 2010-ën dhe me italianin që do të tentojë ta bëjë atë 13 vite më vonë në Stamboll.
KRAHASIMI – Inzagi dhe Murinjo janë ndalur aktualisht në 108 ndeshje secili në solin zikaltër, me të parin që do ta parakalojë nesër në këtë drejtim, edhe pse Zhoze kryeson për mesataren e pikëve. 2.12 pikë për ndeshje ka grumbulluar Interi me Murinjon në stol, ndërkohë që mesatarja e Inzagit është e ndalur në 2.08 pikë për ndeshje, pavarësisht numrit më të madh të fitoreve (69 kundër 68). Janë 21 humbjet e Interit në këto dy vite që peshojnë për Inzagin, ndërsa Mou kishte provuar disfatën vetëm 15 herë. Synimi për Simonen nesër është të arrijë në 70 fitore, apo ndoshta 19 barazime, duke e çuar finalen kundër Mançester Sitit të paktën në kohën shtesë. Ndeshja që bën diferencën në statistikat e tyre është një finale e Kupës së Italisë që i mungon portugezit.
ANALOGJIA- Si Simone ashtu edhe “Speciali” kanë arritur në vitin e tyre të parë deri në fazën e 1/8-ave të Champions League për t’u eliminuar nga dy ekipe angleze (Liverpuli vjet dhe Mançester Junajtidi në 2009- ën). Shumë analogji për të dy trajnerët, duke nisur nga mosha e tyre. Murinjo ishte 47 vjeç kur fitoi ndaj Bajern Mynihut, aq sa është sot trajneri italian dhe me portugezin që ngriti në Madrid trofeun e pestë të tij si zikaltër, Champions-i mund të jetë trofeu i pestë edhe për Inzagin. Ndërkohë që triumfi në Stamboll është në pikëpyetje, nuk është e tillë e ardhmja e trajnerit që do të ketë edhe një sezon të tretë në stolin e Interit (Murinjo u largua pas dy sezonesh). Diçka e tillë ndodh rrallë në shtëpinë zikaltër dhe për të gjetur të fundit që ka qëndruar tri sezone duhet të kthehemi te Mançini në vitet 2004-2008, ndërkohë që i fundit para Robertos ishte Xhovani Trapatoni (1986- 1991).
Sezonin e tretë e nisi edhe Hektor Kuper, por u largua në tetor, rastësisht pas 109 ndeshjesh dhe Inzagi po synon të shkruajë një histori ndryshe për veten, një histori ndryshe nga e paraardhësve, por edhe nga e Murinjos. Edhe pse krenar që është në gjurmët e tij, 47-vjeçari italian kërkon të jetë edhe më special se “Speciali” dhe të mos e ndalojë rrugën e tij drejt trofeve.
NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL