Sekreti i Anglisë në ekzekutimet perfekte të penalltive në “Euro 2024” mund të jetë një guru frymëmarrjeje që ka fluturuar në Gjermani për t’i ndihmuar lojtarët të ruajnë qetësinë e tyre nën presion.
“Tre luanët” ruajtën gjakftohtësinë e tyre duke shënuar pesë goditje të përsosura nga pika e bardhë dhe mundën Zvicrën në Dyseldorf, duke krijuar një përballje gjysmëfinale kundër Holandës të mërkurën mbrëma. Stjuart Sendman, një trajner specialist i teknikave të frymëmarrjes kaloi kohë me skuadrën e Anglisë në Gjermani gjatë turneut, duke mbajtur edhe një seancë frymëmarrjeje me ekipin. Seanca që u filmua, tregoi yjet e kombëtares, me në krye Herri Kejnin, ndërsa punonin për një frymëmarrje më të qetë. Të gjithë lojtarët qëndronin të shtrirë me sytë mbyllur dhe kokën e mbështetur me jastëk.
Sendman, autor i librit “bestseller” ndërkombëtar “Merr frymë, nxirr frymë”, i tha ekipit se frymëmarrja e thellë për pesë sekonda dhe nxjerrja e saj jashtë për pesë sekonda gjatë momenteve të presionit të lartë, ndihmon që të lërë muskujt, indet, nervat dhe mendjen të rifreskohen në mënyrë që kur të jetë koha për t’u ndezur përsëri, të jeni në gjendje të performoni sa më mirë. Ivan Tonej, Bukajo Saka dhe Trent Aleksander-Arnold po merrnin dukshëm frymë thellë përpara se të ekzekutonin penalltitë e tyre kundër Zvicrës të shtunën mbrëma. Sendman thotë se kjo do t’i japë Anglisë avantazh dhe u ka kërkuar njerëzve të vënë bast për ta që fitojnë “Euro 2024”, në atë që do të ishte trofeu i parë i futbollit që nga Kupa e Botës 1966.
Në përfundim të seancës, Sendmanit madje iu dorëzua një fanellë e nënshkruar nga skuadra në prag të fitores së tyre ndaj Sllovakisë në Gelzenkirshen të dielën e kaluar, ku Xhud Bellingam shënoi ndoshta golin më të bukur të turneut deri tani. Ai tha: “Nuk ka asnjë tregues më të madh të lidhjes së fuqishme midis frymëmarrjes dhe performancës sesa Anglia, duke përfshirë frymëmarrjen për të ndihmuar rikuperimin e ekipit në “Euro 2024” pas fitores së të dielës. Jam i nderuar që më zgjodhën mua për të udhëhequr këto seanca”.
PANORAMASPORT.AL