Kur të gjithë kishin dyshime në lidhje me mënyrën sesi do të përshtatej Mehdi Taremi, Andrea Stramaçoni foli me garanci përpara të gjithëve. Trajneri italian që ka eksperimentuar pikërisht në vendlindjen e tij dhe që sot është opinionist në “DAZN”, ishte i bindur: Në gusht do të shohim një sulmues të integruar në skuadër. Është perfekt për skemën 3-5-2 të Inzagit.Stramaçoni, akulli u thye. Mund t’i konfirmojmë fjalët që thatë përpara 1 muaji?
Pa asnjë dyshim. Impakti i Taremit në Serinë A ka qenë absolutisht pozitiv si në aspektin individual dhe atë të skuadrës.
Në çfarë aspekti ju duket më gati dhe ku duhet të përmirësohet?
Mehdi është një lojtar shumë inteligjent. Di të lexojë lojën dhe e ka treguar menjëherë në Itali. Gjëja më e rëndësishme për të është që të marrë sa më shumë minuta dhe të gjejë gjuhën me shokët e skuadrës.
Me Turamin në çfarë pike është?
Më ka befasuar fakti që e kërkonin shumë shpesh njëri-tjetrin gjatë ndeshjes. Në çdo situatë e kanë qarkulluar topin duke zënë hapësirat, njëri në funksion të tjetrit. Jam shumë kurioz që ta shoh edhe me Lautaron.
Por në krahasim me 2 lojtarët që ka Interi çfarë ka ndryshe?
Është i gatshëm për të punuar me kombinime dhe një specialist i sulmit me 2 lojtarë. Me Amirin te Persepolis, Maregën te Porto dhe Azmun në kombëtare. Gjithmonë ka luajtur me dikë tjetër në krah. Kjo gjë e shtyn të bëjë atë që do, për të zbritur më poshtë në fushë dhe të lidhë lojën. Bën pasime të thjeshta, por efikase. Bëri pikërisht këtë gjë në golin e dytë të Turamit kundër Xhenoas. Një tjetër aspekt është loja në ajër, ku ai mund të kontribuojë shumë. Goli i Leçes me Darmianin edhe pikërisht prej spondës së tij.
Mkitarian ka thënë se Taremi është i turpshëm jashtë fushe, por brenda saj një luftëtar. Është e vërtetë?
Miki mendohet shumë kur flet dhe duhet vëmendje në fjalët e tij. Është një lojtar që ka parë shumë skuadra dhe dhoma zhveshjes. Jam dakord me të. Edhe te Irani, Taremi është një lider i heshtur dhe pozitiv.
Është Inzagi trajneri i duhur për të?
Inzagi ka merita të jashtëzakonshme në rritjen e Turamit dhe përshtatjen e tij në Serinë A. Jam i bindur që do të kontribuojë edhe në përmirësimin e performancave të Taremit. Mehdi ka karakteristikat ideale për lojën e tij.
Tifozët janë duke e pritur golin e tij. Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Atalantës?
Faza mbrojtëse e Gasperinit është e fortë dhe e vëmendshme, por jam i sigurt që Taremi mund ta thotë fjalën e tij.
Kur të rikthehet Lautaro në formë, mendon që do ta shohim shpesh treshen titullare ashtu siç ndodhi pak minuta ndaj Xhenoas?
Për të qenë i sinqertë do të befasohesha nëse i shoh sërish. Por sigurisht që mund të jetë një lëvizje funksionale në bazë të ndeshjes, sidomos kur mbrojtjet janë të mbyllura.
Me kë ju ngjason më shumë Taremi?
Do të thosha me Hulio Kruzin, për mënyrën se si përshtatet në lojë dhe për mënyrën se si e godet portën.
Ali Daei ka parashikuar 15 gola për Taremin. Stramaçoni sa i “jep”?
E kam njohur Aliun në Teheran dhe është një legjendë dhe ikonë e botës persiane. Uroj që Taremi të arrijë sa më shumë gola, por mendoj që nëse kap shifrën e 10 golave do të ishte sukses. E them këtë nisur nga fakti që nuk konsiderohet titullar i paprekshëm.
E lëmë pak mënjanë Taremin. A është Interi skuadra për t’u mundur?
Po. Është skuadra më solide dhe më eksperte. Ka një organikë të pasur dhe është forcuar në merkato. Do të jetë një kampionat interesant, jam i bindur për këtë.
PANORAMASPORT.AL