Një finte, një driblim apo një dopio pasim. Në derbin e shkuar ka qenë kështu.Goli i Tomoti Ueah lind ka një driblim i Fransisko Konseisaos përballë Mkitarianit në zonën e rreptësisë. Djali i Serxhos kalon armenin, e prek topin disa herë dhe servir për Ueah një gol të lehtë. Praktikisht është çështje stili, e për këtë arsye, “Derbi i Italisë” duket se do të përcaktohet pikërisht nga driblimi.
PËRBALLJE DRIBLUESISH
Në Torino do të përballet skuadra e dytë më e mirë në Itali për duelet një kundër një dhe … e fundit. Është e thjeshtë ta kuptosh se për kë po flasim. Juventusi i Motës ka realizuar 638 driblime në 24 ndeshje. Përpara saj është vetëm Atalanta me 647. Interi nga ana tjetër është i fundit, 316. Xhenoa është mbi zikaltrit në duelet një kundër një me 406 driblime. Megjithatë, fakti që Interi driblon më pak nuk është një aspekt negativ, mbi të gjitha sepse tabela e klasifikimit flet në favor të zikaltërve që ndodhen në vendin e dytë me 54 pikë, ndërsa bardhezinjtë janë të pestët me 43.
Praktikisht është një çështje stili dhe individësh. Dribluesi më i mirë i Juventusit është Kenan Jildiz, me 121 përballje një kundër një, ndërsa tek Interi këto shifra janë të pakrahasueshme. Nikola Zalevski, i ardhur vetëm në janar nga Roma ka realizuar 52 driblime, nga të cilat, shumë pak tek Interi. Edhe ato që ka realizuar kanë ardhur kryesisht në derbi ku dha edhe asistin që i çoi shifrat në 1-1. Atë e ndjekin Turam me 51, Lautaro me 41 dhe Dumfris me 29. Të tre së bashku i afrohen Jildizit.
PËRBALLJA E STILEVE
Një tjetër driblues te Juventusi është Fransisko Konseisao me 105 të tilla, i cili pasohet nga Kambiazo me 50, Ueah me 41 dhe Kefren Turam me 35. Tek Interi ka një aspekt kurioz të lidhur me Dimarkon. Mbrojtësi italian ka kryer vetëm 17 driblime, shumë pak për një lojtar krahu, por megjithatë është mbrojtësi më i mirë për raste të krijuara (10), i dyti për harkime të sakta (41), harkime në përgjithësi (141) dhe pasime kyçe (35). Mbrojtësi i parë i Juventusit nga ana tjetër është Kambiazo.
Pra manifesti i këtij “Derbi Italie” është i qartë. Do të jetë një përballje mes dy stileve. Juventusi ka lojtarë më shumë driblues, Mota i jep më shumë liri lojtarëve të tij të futen në duele një kundër një, ndërsa tek Interi ndodh e kundërta. Loja ekipore është shumë më e theksuar se individët. Megjithatë, në këtë supersfidë, “Zonja e Vjetër” duket se do të përdorë sërish armën e fortë që ka për të befasuar Interin në duelet një kundër një dhe për të kthyer ndeshjen në favorin e vet. Pra, “asi nën mëngë” i Motës është driblimi. Me lojtarë si Kenan Jildiz dhe Fransisko Konseisao, mbrojtësave të Interit ka filluar t’i dhembë që tani koka.
PANORAMASPORT.AL