Fabio Ingolitsch është emëruar zyrtarisht trajner i ri i kampionit në fuqi të Austrisë, Sturm Graz, duke hapur një kapitull të ri për klubin austriak në prag të pjesës së dytë të sezonit.
Sipas mediave austriake, Ingolitsch pritet ta marrë me vete edhe ndihmëstrajnerin e tij nga Altachu, Atdhe Nuhiun. Ky i fundit shihet si pjesë e stafit teknik të ri, duke e bërë këtë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Trajneri i ri do ta nisë zyrtarisht punën te Sturm Graz të premten, ndërsa debutimi i tij në stolin e kampionëve austriakë do të jetë më 22 janar, në ndeshjen e fazës së Ligës së Evropës ndaj Feyenoordit.
Atdhe Nuhiu, 36-vjeçar, ka nisur karrierën e tij si ndihmëstrajner te Altachu në vitin 2024 dhe aktualisht është gjithashtu ndihmës i përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda. Si futbollist, Nuhiu ka qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në 19 ndeshje, gjatë periudhës 2017–2021.
Angazhimi i mundshëm te Sturm Graz do të përfaqësonte një hap të madh përpara në karrierën e Nuhiut, duke qenë pjesë e stafit të një prej klubeve më të mëdha dhe më të suksesshme në futbollin austriak.



