Sulmuesi i Gjilanit, Robert Rrahmani e ka fituar epitetin e futbollistit më të mirë për xhiron e fundit në Superligën e Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të martën ka bërë të ditur se Rrahmani është shpallur “Ylli i Javës”, duke fituar çmimin që i dedikohet futbollistit më të mirë pas përfundimit të secilës xhiros.
Rrahmani është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 27-të në Superligën e Kosovës në futboll pas paraqitjes fantastike në ndeshjen Prishtina e Re – Gjilani.
Gjilani triumfoi 2:1 me përmbysje në udhëtim, ndërsa Rrahmani shënoi golin e parë për ekipin e tij, që mori fitore të rëndësishme për t’u ngjitur në pozitën e katërt në tabelë me 42 pikë.
Vlerësimin e më të mirit të javës, si zakonisht e ka bërë Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili ka vlerësuar lart paraqitjen e Rrahmanit përgjatë 90-të minutave kundër Prishtinës së Re.
Vet Rrahmani, u shpreh tejet i lumtur pasi mori çmimin dhe që u vlerësua si lojtari më i mirë i xhiros në elitën e futbollit kosovar.
Sipas tij, fitorja nga Prishtinë së Re ishte shumë e vlefshme për Gjilanin, ekip që synon daljen në garat evropiane për sezonin e ardhshëm.
Rrahmani ka thënë se Gjilani, aktualisht është brenda objektivave, ndërsa çmimin ia ka dedikuar bashkëlojtarëve, stafit dhe familjes së tij.