Tuesday, 27. October 2026
Sport

SUPER Gattuso po bën mrekullinë te Lazio, gjashtë gola ndaj Sassuolos dhe kreu i Serie A

GS 27/10/2026 2 Min. Lesezeit

Lazio po kalon një formë të jashtëzakonshme nën drejtimin e Gennaro Gattusos. Skuadra romake triumfoi me rezultat bindës 6-2 në udhëtim ndaj Sassuolos, në kuadër të xhiros së nëntë të Serie A, duke regjistruar fitoren e tetë në nëntë ndeshje dhe duke vazhduar rrugëtimin pa humbje në kampionat.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, pasi Kenneth Taylor e kaloi Lazion në epërsi që në minutën e dytë. Sassuolo reagoi shpejt me Kristian Thorstvedtin, por Gustav Isaksen dhe Romano Floriani Mussolini shënuan për ta çuar rezultatin në 3-1.

Edhe pse Sassuolo mbeti me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Thorstvedtit në minutën e 31-të, vendasit arritën ta ngushtonin diferencën përmes Sebastiano Espositos.

Mattia Zaccagni shënoi në fund të pjesës së parë, ndërsa Tijjani Noslin realizoi dy herë në pjesën e dytë për ta vulosur fitoren 6-2.

Takimi pati edhe dy penallti të humbura, nga Zaccagni dhe Davide Frattesi, por kjo nuk e pengoi Lazion të merrte tri pikët

Me këtë fitore, Lazio ka arritur në kuotën e 25 pikëve pas nëntë xhirove dhe kryeson renditjen e Serie A.

Skuadra e Gattusos ka regjistruar tetë fitore dhe një barazim, ndërsa triumfi ndaj Sassuolos ishte i pesti radhazi në kampionat.

Para këtij suksesi, Lazio kishte mposhtur Monzën, Juventusin dhe Parmën, ndërsa pikët e vetme i kishte lënë në barazimin 2-2 ndaj Milanit.

Ndonëse nuk e nisi sezonin si një prej favoritëve kryesorë për titull, skuadra romake po dëshmon se mund të jetë pretendente serioze. Intensiteti, agresiviteti dhe uniteti janë disa prej elementeve që po e karakterizojnë ekipin e drejtuar nga trajneri italian.

Megjithatë, Gattuso po mundohet ta mbajë skuadrën me këmbë në tokë, duke kërkuar përulësi dhe përqendrim, pavarësisht rezultateve mbresëlënëse.

Teilen: