Hiç më pak se gjashtë skuadra parashikohet të jenë në garë të fuqishme për titullin e kampionit në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll.
Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu ka thënë se skuadrat kanë bërë përforcime të mëdha, por edhe kanë ngritur nivelin e organizimit të tyre, andaj kampioni në fuqi, Ballkani nuk do ta ketë fare të lehtë që ta mbrojë titullin.
Sejdiu: Ballkani do ta ketë të vështirë ta ruaj epitetin e favoritit
“Duke e parë ecurinë dhe organizimin e të gjitha ekipeve të Superligës, unë mendoj që do të jetë vërtetë një kampionat shumë i luftuar, shumë rivalizues ku deri në fazën e fundit nuk do të dihet se cili ekip do të jetë pretendent për titull, për dalje në Evropë apo edhe për mbetje në ligë…Ne e kemi obligim moral që Ballkanin prapë ta konsiderojmë si favoritin kryesor, por këtë kampionat do ta ketë shumë vështirë, jo të pamundur por shumë të vështirë për ta mbajtur këtë epitet. Arsyeja është që ka shumë ekipe, për mendimin tim janë gjashtë ekipe të cilat do të luftojnë deri në fund për titull dhe për dalje në Evropë, tani e kemi një realitet krejtësisht tjetër sa i përket këtyre objektivave të larta”, tha Sejdiu.
Komentuesi sportiv, Arbër Loxha konsideron se largimet e lojtarëve kryesorë që janë bërë nga skuadra e Ballkani mund t’i hapin rrugë skuadrave të tjera ta kenë më të lehtë luftën për titull.
Loxha: Do të ketë rivalitet të madh për titullin e kampionit
“Do të ketë ndryshime padyshim, e shohim në rritje edhe klubin e Prishtinës kam përshtypjen, e shohim edhe Llapin shumë të interesuar t’i vazhdojë ato rezultatet pozitive dhe Ballkani që lëshoi disa lojtarë shumë të mirë që i kishte. Këtë e shoh si arsye, mirëpo Ballkani ka mjaftueshëm buxhet financiar me të cilin mund ta mbulojë duke marrë lojtarë përsëri të mirë të cilëve do t’iu duhet pak kohë që të adaptohen në skemat dhe idetë e Ilir Dajës për ta parë përsëri Ballkanin në nivel të lartë, mirëpo konsideroj që këtë edicion konkurrenca për t’u shpallur kampion do të jetë shumë më e madhe se sa që e kishte në dy sezonet e fundit ekipi i Ballkanit”, tha Loxha.
Trajneri Gani Sejdiu pret nga ky edicion të sjellë befasi të madhe, pasi Suhareka mund të synojë titullin e ri edhe pse ka vetëm dy vjet që është themeluar si klub.
Sejdiu: Suhareka do të jetë befasia e madhe e kampionatit
“E kemi një Prishtinë të organizuar jashtëzakonisht mirë edhe me fuqi shumë të fortë financiare, një Gjilan të jashtëzakonshëm, Drita si gjithmonë me Llapin që gjithmonë janë aty. Pastaj është një surprizë e mirë, e cila unë mendoj se mund të jetë befasia e kampionatit, flas për objektivin për titull dhe dalje në Evropë, është Suhareka, e cila e shohim se çfarë ekipi ka ndërtuar dhe me çfarë organizimi ka bërë ku menjëherë, është viti i dytë prej themelimit të saj dhe menjëherë do të luftojë për titull sepse i ka të gjitha mundësitë”, tha Sejdiu.
Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll nis më 10 gusht. Në garë do të jenë edhe dy skuadrat e inkuadruara nga Liga e Parë, Ferizaj dhe Suhareka.