Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me sezonin e ri 2026/27, ndërsa që në javën e parë futbolldashësit do të kenë mundësinë të shohin një përballje të madhe mes Prishtinës dhe Ballkanit.
Xhiroja hapëse do të zhvillohet në tri ditë, nga e premtja deri të dielën, me pesë ndeshje në program.
Sezoni i ri do të nisë të premten, më 14 gusht, me duelin mes Feronikelit ’74 dhe Gjilanit. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me fillim nga ora 16:30.
Të shtunën, më 15 gusht, do të luhen dy ndeshje. Drenica do të përballet me Dukagjinin në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ndërsa Vushtrria do ta presë Malishevën në stadiumin me bari sintetik në Hajvali. Të dyja takimet janë planifikuar të nisin në ora 16:30.
Megjithatë, e gjithë vëmendja do të jetë të dielën në kryeqytet, ku Prishtina dhe Ballkani do të përballen në “Fadil Vokrri”, duke e bërë derbin një nga sfidat më të mëdha të javës së parë.
Ndeshja do të nisë në ora 19:00 dhe pritet të sjellë interesim të madh, pasi dy skuadrat kanë qenë protagoniste të rëndësishme të futbollit kosovar në vitet e fundit.
Përballja e tyre që në start të kampionatit i jep një dozë të veçantë emocioni sezonit të ri dhe mund të shërbejë si një test i hershëm për ambiciet e të dyja skuadrave.
Po të dielën do të zhvillohet edhe një tjetër duel interesant. Drita do të presë Llapin në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, me ndeshjen që do të nisë në ora 16:30.
Kështu, Superliga e Kosovës e hap sezonin e ri me një javë që premton rivalitet, emocione dhe një derbi të madh që në start.