Sezoni 2025/26 i Superligës së Kosovës në futboll, nis këtë javë, saktësisht të dielën për shkak të shtyrjes së dy ndeshjeve.
Mësohet se Federata e Futbollit të Kosovës, ka vendosur ti shtyjë ndeshjet e Dritës dhe Ballkanin në kuadër të xhiros së parë, shkaku i angazhimit të këtyre skuadrave në kualifikimet e garave evropiane.
Në xhiron e parë të Superligës, si Drita ashtu edhe Ballkani luajnë në udhëtim ndaj Ferizajt, përkatësisht Gjilanit por këto përballje janë shtyrë për kohë të pacaktuar.
Kështu që, në xhiron e parë do të luhen vetëm tri ndeshje dhe atë të dielën prej orës 16:30, ku do të përballen Dukagjini – Prishtina, Drenica – Llapi dhe Malisheva – Prishtina e Re.
Kampionia e Kosovës, Drita po synon kualifikimin në “play-offin” e Ligës së Evropës kurse nënkampioni Ballkani atë të Ligës së Konferencës.