Analizë e mirëfilltë për çdo lojtar të secilës kombëtare kundërshtarë në “Euro 2024”.
Kjo ka qenë puna e Sylvinho dhe stafit të tij në 3 javët e fundit.
Tekniku brazilian dhe ndihmësit e tij Zabaleta, Doriva dhe Bulku i kanë kushtuar nga një javë secilit ekip, Italisë, Spanjës dhe Kroacisë.
Nëpërmjet të dhënave edhe nga video-analisti i FSHF, janë analizuar të gjithë futbollistët, cilësitë e tyre, veprimet e tyre në fushë, deri në detaje, duke regjistruar reagimet e tyre në dinamika të ndryshme loje, aksione mbrojtëse, sulmuese apo edhe në goditje standarde.
Vështirësia që përfaqësojnë kundërshtarët e grupit B të euro 2024, bën që stafi i Shqipërisë të punojë sa më shumë për të mos i lënë asgjë rastësisë. Vetëm përgatitja e mirë do të sillte qetësi në kampion kuqezi.
Dilema tek Sylvinho dhe bashkëpunëtorët e tij është ndryshimi i modulit të lojës së kombëtares italiane nga 4-3-3 gjatë kualifikueseve në 3-4-2-1 në dy miqësoret e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës dhe Ekuadorit.
Nuk vihet në dyshim cilësia e futbollistëve të Spanjës, Italisë dhe Kroacisë. Për këtë arsye kujdesi dhe përgatitje e lojtarëve kuqezi duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.
Nga ana tjetër stafi teknik ka bërë edhe analizimin e të gjithë arbitrave të finaleve të Europianit, për të parë vendimet dhe reagimet e tyre në situata të ndryshme loje për të shmangur ndëshkimet e mundshme.