Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka folur në një konferencë për media në prag të ndeshjes kundër Republikës Çeke.
Shqipëria dhe Çekia do të përballen të enjten mbrëma nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në kuadër të Grupit E në kualifikimet për Kampionatin Evropian, përcjell lajmi.net.
Trajneri brazilian në konferencë u pyet edhe për lojtarët që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ai tha kjo ka pak rëndësi nëse ata janë në gjendje të luajnë për Shqipërinë.
“Jam i fokusuar vetëm te Çekia. Kemi lojtarë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e Veriut, nga gjithë trevat shqiptarë. Pak rëndësi ka nga është origjina e një futbollisti. Nëse lojtarët janë në gjendje të luajnë me ne, kanë cilësitë e duhura dhe e ndjejnë, atëherë mirë se të vijnë. Daku dhe Muja janë lojtarë shumë të mirë, po bëjnë shumë mirë me Shqipërinë”, deklaroi Sylvinho.
Përballja e të enjtes mbrëma është vendimtare për Shqipërinë e cila është lidere e Grupit E me 10 pikë të grumbulluara.
Çekia ka tetë pikë në pozitën e dytë, njëjtë sikur Moldavia që është e treta në grup. Polonia është e katërta me gjashtë pikë, ndërkohë Ishujt Faroe pa gjasa kanë grumbulluar një pikë në vendin e fundit./Lajmi.net/