Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka konfirmuar mungesën e madhe të kuqezinjve kundër Çekisë.
Sylvinho ka bërë të ditur se sulmuesi Armando Broja nuk do të mund të paraqitet kundër Çekisë për shkak të lëndimit, shkruan lajmi.net.
“Kemi bërë dy seanca stërvitore. Më vjen keq, por Broja nuk ia del dot. Është stërvitur shumë pak. Ka një shqetësim fizik, doktori ynë ka qenë në kontakt edhe me doktorin e Chelsea”, tha Sylvinho në konferencë për media.
“Më vjen keq, por lojtari nuk luan dot nesër. Kemi lojtarë të tjerë, të cilët duhet t’i menaxhojmë mirë. Gjasula është rikthyer, nuk ka probleme”, theksoi ai, njofton SuperSport.
Shqipëria dhe Çekia do të përballen të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024.
Përballja e të enjtes mbrëma është vendimtare për Shqipërinë e cila është lidere e Grupit E me 10 pikë të grumbulluara.
Çekia ka tetë pikë në pozitën e dytë, njëjtë sikur Moldavia që është e treta në grup. Polonia është e katërta me gjashtë pikë, ndërkohë Ishujt Faroe pa gjasa kanë grumbulluar një pikë në vendin e fundit./Lajmi.net/