Eliminimi i Shqipërisë, pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë, nuk ishte thjesht fundi i ëndrrës kuqezi për një vend në Kupën e Botës 2026. Ishte një goditje historike për vetë Brazilin dhe identitetin e tij në futbollin global. Me largimin e kombëtares kuqezi, të drejtuar nga Sylvinho, mbyllet një epokë e pabesueshme. Për herë të parë që nga “Uruguaj 1930”, një Botëror, ky i kësaj vere, do të zhvillohet pa asnjë trajner brazilian në stolat e finalistëve.
Shqipëria ishte shpresa e fundit për ta mbajtur gjallë këtë traditë 92-vjeçare, me Sylvinho si “shpëtimtar”. Disfata ndaj Polonisë e fshiu edhe këtë mundësi. Ndërkohë, vetë Brazili tashmë drejtohet nga italiani Carlo Ancelotti, një sinjal i qartë i globalizimit të futbollit modern, fenomen i theksuar shpesh nga media si “BBC”, “The Athletic” dhe “L’Équipe”, që prej vitesh analizojnë rënien e dominimit tradicional të “shkollave kombëtare” të trajnerëve.
Historikisht, prania braziliane në stola ka qenë e vazhdueshme dhe shpesh dominuese. Në Botërorin 1998 ishin 4 trajnerë brazilianë (Zagallo, Parreira, Carpegiani, Simoes), ndërsa edhe më 2006 u përsërit një situatë e ngjashme me Parreira dhe tre të tjerë në pankina kombëtaresh të ndryshme.
Sot, panorama ka ndryshuar rrënjësisht. Nga 48 ekipet e Botërorit 2026, 42 janë tashmë të kualifikuara. 20 prej tyre drejtohen nga trajnerë vendas (si Argjentina me Scaloni dhe Franca me Deschamps), ndërsa 22 nga të huaj (përfshirë Brazilin me Ancelotti, Anglinë me Tuchel dhe SHBA me Pochettino).
Fundi i këtij rekordi historik nuk është rastësi, por pasqyra e një futbolli që po largohet nga identitetet tradicionale dhe po hyn në një epokë ku kombësia e trajnerit ka gjithnjë e më pak rëndësi. Dhe në këtë histori, paradoksalisht, ishte pikërisht Shqipëria e Sylvinhos që vendosi pikën fundore…