Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka publikuar të premten listën e futbollistëve me të cilët kërkon suksesin historik – vendin në plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Shqipëria asnjëherë nuk ka luajtur në plejof për kualifikim në Botëror, ndërsa ka gjasa të mira të paraqitet në këtë fazë për Botërorin 2026 që mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Për ndeshjet me Andorrën dhe Anglinë, tekniku brazilian është bazuar në emra të konfirmuar. Prej mbrojtësve është kthyer Ardian Ismajli, kurse sërish mungon Marash Kumbulla. Adrion Pajaziti është kthyer në mesfushë, kurse Indrit Tuci konkurron në sulm me Armando Brojën, Rey Manajn, Myrto Uzunin e Mirlind Dakun.
Kuqezinjtë grumbullohen të hënën në Barcelonë, ndërsa më 13 nëntor nga ora 20:45 është ndeshja Andorrë – Shqipëri. Më 16 nëntor nga ora 18:00 në “Air Albania” është takimi Shqipëri – Angli.
Kualifikimin në Botëror nga Grupi K tashmë e ka siguruar Anglia. Ka mbetur e hapur gara për pozitën e dytë, që dërgon në plejof. Në garë janë Shqipëria e Serbia, por Shqipëria është në pozitë dukshëm më të volitshme.
Dy xhiro para fundit, Shqipëria është e dyta me 11 pikë, një më shumë se Serbia. Edhe orari i kuqezinjve është më i përshtatshëm.
Derisa më 13 nëntor Shqipëria është favorite e madhe ndaj Andorrës, Serbia e luan ndeshjen shumë të vështirë me Anglinë në “Wembley”. Anglia ka fituar të gjitha ndeshjet e deritashme dhe do të tentojë të përfundojë kampanjën kualifikuese me fitore. Në rast të fitores së Shqipërisë ndaj Andorrës dhe të Anglisë ndaj Serbisë, Shqipëria e siguron pozitën e dytë. Dhe rrjedhimisht ndeshja e 16 nëntorit Shqipëri – Angli do të jetë festive, ndërsa ndeshja Serbi – Letoni pa asnjë vlerë.
Shqipëria ka luajtur dy herë në Evropian, në vitet 2016 e 2024. Por Botërorit nuk i është afruar deri më tani. Ky grumbullim shpresohet shumë se do ta afrojë me ngjarjen globale.



