Dominik Szoboszlai beson se partneriteti i tij në mesfushë me Alexis Mac Allister mund të sjellë sukses afatgjatë te Liverpool, pavarësisht dyshimeve të shprehura nga kritikët në fillim të sezonit.
Kapiteni i Hungarisë luajti që nga fillimi krah për krah me fituesin argjentinas të Kupës së Botës, duke formuar dyshen e pozicionuar më thellë në fushë gjatë fitores 2-1 ndaj Atletico Madrid, në ndeshjen hapëse të Champions League në “Anfield”.
Debati gjatë gjithë verës u përqendrua te nevoja për të afruar një “numër gjashtë” të mirëfilltë, i cili do të merrte përsipër më shumë përgjegjësi mbrojtëse.
Por, kur u pyet nëse ai dhe Mac Allister mund të ishin të suksesshëm së bashku, Szoboszlai tha: “Mundemi. E kam thënë shumë herë, më pëlqen të luaj me Macca-n”.
“Ne e njohim njëri-tjetrin. Pa pasur nevojë të flasim, kur e shikon dikë dhe ai e kupton se çfarë do të bësh, dhe unë e di saktësisht se çfarë do të bëjë ai. Mendoj se kjo e ndihmon edhe ekipin”, tha më tej hungarezi.
Më tej, Szoboszlai komentoi: “Është vendimi i trajnerit se kush do të luajë në ndeshjet e radhës dhe mendoj se të gjithë janë gati të konkurrojnë me njëri-tjetrin, por ne duhet të bëhemi një familje”.
“Në fund të fundit, kemi nevojë për të gjithë, sepse sezoni është i gjatë, ne jemi pjesëmarrës në të gjitha kompeticionet dhe duam të vazhdojmë në to deri në fund”, tha Szoboszlai .