Tjetër takim me historinë, si për Real Madridin, ashtu edhe për trajnerin Carlo Ancelotti. Kampionët e Europës do të përballen sot me Pachuca-n në finalen e Kupës Ndërkontinentale.
Pas 20 vitesh, FIFA ka rikthyer këtë kompeticion, i cili zëvendëson zyrtarisht Kupën e Botës për Klube, që do të luhet në qershor në Shtetet e Bashkuara.
Trajneri italian, në rast fitoreje, do të bëhej trajneri më i suksesshëm në historinë e Real Madridit me 15 trofe, duke kaluar Miguel Muñoz dhe duke shkruar kështu një faqe të re historie.
Real Madridi ka sot mundësinë për të shtuar edhe një trofe tjetër në historinë e tij të lavdishme. “Los Blancos” do të përballen në finalen e Kupës Ndërkontinentale me Pachuca-n, klubin meksikan që eliminoi Botafogo-n.
Ndeshja do të zhvillohet në orën 18:00 në stadiumin Lusail në Katar. Në rast fitoreje, Real Madridi do të bëhet klubi me më shumë Kupa Ndërkontinentale. Aktualisht, ndan vendin e parë me Milanin dhe Peñarol-in, me nga tri fitore (1960, 1998, 2002).
Finalja është veçanërisht e rëndësishme për Ancelotti-n, i cili është vetëm një hap larg të qenit trajneri më i suksesshëm në historinë e Real Madridit.
Me Realin, Ancelotti ka fituar:
Dy herë La Liga-n
Dy herë Kupën e Mbretit
Tri herë Ligën e Kampionëve
Tri herë Superkupën Europiane
Dy herë Kupën e Botës për Klube
Dy herë Superkupën Spanjolle
Ancelotti foli për këtë mundësi të madhe, duke thënë:
“Është diçka e rëndësishme, sigurisht. Arritja e këtij suksesi tregon se ke bërë një punë të mirë. Mendoj se e kam bërë. Por dua të vazhdoj. Është një nder të krahasohesh me Miguel Muñoz-in dhe trajnerët e tjerë që kanë pasur fatin të drejtojnë klubin më të madh në botë.”
Përveç rekordit të trofeve me Real Madridin, Ancelotti do të shtonte në koleksionin e tij një nga trofetë e pakët që ende i mungon.
Në vitin 2003, kur ishte trajner i Milanit, humbi finalen e tij të vetme të Kupës Ndërkontinentale pas penalltive ndaj Boca Juniors.
Pas 20 vitesh mungesë, tani Ancelotti shpreson ta festojë këtë trofe, duke pasuruar edhe më shumë karrierën e tij të lavdishme.